Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Pedagogët ultimatum qeverisë: Anulo ligjin

Nga A2 CNN
25 Dhjetor 2018, 10:48 | Aktualitet
Pedagogët ultimatum qeverisë: Anulo ligjin

Ashtu si studentët, edhe stafet akademike paralajmërojnë bojkot të mësimit pas 7 janarit. 51 pedagogë të Fakultetit Histori-Filologji kërkojnë ngritjen e këshillit të emergjencës për hartimin e ligjit të ri të arsimit të lartë.

Në peticionin e firmosur prej tyre, pedagogët sqarojnë se ligji aktual, i kundërshtuar që në fillimet e tij, nuk siguron autonomi të universiteteve, transparencë, cilësi të mësimdhënies dhe as kushte për studentët.

“Ai ligj duhet rrëzuar dhe duhet ngritur një grup pune ku të jenë të pranishëm përfaqësues të palëve të ndryshme të interesit, për të përfaqësuar vullnetet e tyre dhe për të bërë një ligj, ashtu siç e meriton arsimi i lartë”

Lili Sula, shefe e Departamentit të Letërsisë

“Ligji i konsideron institucionet publike të arsimit të lartë si njësi ekonomike të cilat, me sa duket, është parashikuar që gradualisht të kalojnë në vetëfinancim. E ka të pamundur universiteti publik të vetëfinancohet, në kushtet ku ne nuk gjenerojmë të ardhura. Të vetmet të ardhura që gjenerojmë deri tani janë nga pagesat për shkollim të studentëve”.

Sabri Laçi, Dekan i Fakultetit Histori-Filologji

Drejtues e pedagogë të fakultetit Histori-Filologji thonë se vetëm një ligj i ri do të nxjerrë nga kriza aktuale universitete publike. Por peticioni është vetëm hapi i parë i pedagogëve, ndërsa thonë se do të përshkallëzojnë lëvizjen e tyre.

Ligji i arsimit të lartë, një model anglo-sakson, u miratua tre vjet me parë. Vijon të kundërshtohet edhe sot nga universitete publike si reformë që jo vetëm nuk jep autonomi sipas tyre, por i rrezikon t’i falimentojë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë