“Pendohet” PS, tërheq amendimin për krimin zgjedhor

Pasi Edi Rama e shndërroi në refren të fushatës elektorale burgun dhe shpalljen non grata në SHBA e BE për ata që kryejnë krime zgjedhore, PS duket se pendohet.
Nga foltorja e Kuvendit, Taulant Balla tha se amendamenti në Kodin Penal që ndalonte daljen jashtë vendit për ata që preknin zgjedhjet, do të tërhiqet për ta konsultuar edhe më gjerësisht me opozitën parlamentare.
“Amendamenti i propozuar nga zoti Bushati lidhur me penalizimin e përkohshëm deri në 10 vite, me ndalimin e udhëtimit jashtë vendit, kemi menduar që amendamenti mos të votohet sot edhe me mendimin e opozitës, dhe të jetë pjese i një diskutimi më të gjerë me ndëshkime alternative”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Murrizi: Donit burg për ata që prishin qetësinë Partisë
Deputeti i opozitës Myslim Murrizi, ironizoi në foltoren e Kuvendit mbi vendimin e mazhorancës për të mos votuar amendamentin e Bushatit.
“U gëzova që e paskeni heq rrethimin me gjemba të Shqipërisë, siç e kemi patur nga 1945 deri në 1990. Kemi 9 vjet që jemi çliruar nga ky burg, me heqjen e vizave, dhe ju donit që kush t’i prishte qetësinë partisë të rrinte 10 vjet në një burg 28 mijë kilometra katrorë”, deklaroi deputeti.

Shkarkoni aplikacionin e A2