Për herë të parë në një studio Tatimet dhe Doganat

Pothuajse çdo ditë, Ministria e Financave, Tatimet dhe Doganat kanë njoftuar për bizneset me shkelje që kanë zbuluar gjatë dy muajve të aksionit kundër informalitetit. Një nismë që nuk është e re, pasi për herë të parë kemi dëgjuar për të me jo pak bujë në shtator të vitit 2015.

Ajo që nuk dimë është se sa është niveli i informalitetit sot dhe sa u luftua nga viti 2015 e në vijim.

Për të bërë një analizë të plotë të asaj që po ndodh sot në terren, të marrëdhënies mes biznesit dhe administratës fiskale, të gjendjes së të ardhurave prej nga ku varen edhe shërbimet që marrin si qytetar, por edhe për fiskalizimin, nismën e re të qeverisë që përflitet se ka lidhje me koncesionin e TVSH-së që u hodh si ide në vitin 2015, për skemat e abuzimit me TVSh-në dhe mosrimbursimin në kohë të po kësaj takse për bizneset e ligjshme, në studion e “A2 Business Week” ishin të ftuar Delina Ibrahimaj, drejtoreshë e përgjithshme e Tatimeve dhe Arlind Gjokutaj, drejtor i përgjithshëm i Doganave.

Ibrahimaj theksoi se “plani kundër informalitetit nisi rreth muajit mars” dhe shtoi se Tatimet kanë objektiv “uljen e informalitetit dhe rritjes së të ardhurave”.

“Informaliteti është i shpërndarë në të gjithë llojet e bizneseve. Po merremi me të vegjëlit, por kemi evidentuar edhe 1400 subjekte të mëdha me risk”, deklaroi Ibrahimaj.

Më tej, drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve shtoi: “Duam t’i japim fokus të veçantë mosdeklarimit të pagave reale”.

Ndërkohë, Gjokutaj foli për arsyet pse plani i administratës doganore është -4,4% në periudhën 6-mujore.

“Ka nisur një analizë për këtë mosrealizim dhe po kuptojmë se kush janë sektorët pa rendimentin e pritur. Ka disa faktorë që ndikojnë për mosrealizimin e të ardhurave, mes të cilëve edhe zhvlerësimi i euros. Mesatarisht humbasin 200-300 milionë nga kursi i këmbimit. Edhe kriza politike ndikoi në këtë aspekt”, u shpreh Gjokutaj.

Më tej, në studio u diskutua edhe fiskalizimi.

“Është sistem që do të menaxhohet nga administrata tatimore. Kur bëhet shitja, dërgohet në kohë reale në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nëpërmjet aplikacionit apo kasës, pasi përdorimi i kasës nuk përjashtohet. Ligji parashikon që deri në 48 orë mos të ketë internet në zona të ndryshme dhe parashikon që subjektet duhet të raportojnë për probleme me internetin. Ka dhe zona pa mbulim me internet dhe po shikojmë alternativat për ato zona, pavarësisht se ka një numër të vogël tatimpaguesish aty”, shpjegoi Ibrahimaj.

Në lidhje me skemat e mashtrimit me TVSH, Ibrahimaj tha: “Hetimi tatimor ka në punën e tij analizën dhe shqyrtimin e rasteve të evazionit fiskal. Këtë vit kanë qenë 3 raste mashtrimi, me 76 kompani të përfshira. Rastet po shqyrtohen nga prokuroria dhe nuk mund të jap detaje”.

Shkarkoni aplikacionin e A2