Pezullimi i rektorit të UT, vendimi “i paralajmëruar” për Mynyr Konin

Kërcënimet, akuzat dhe zhurma mediatike e kanë ndjekur Mynyr Konin gjatë tri viteve të punës si rektor. Mori drejtimin e universitetit të Tiranës me shumicën e votave në prill të 2016 pavarësisht kërcënimeve për të lënë garën nga Emiljano Shullazi, pasi ai dhe Dhori Kule bënë denoncimin tek Sali Berisha.
Gjatë punës u akuzua për shpërdorim detyre dhe fondesh. Kundër tij dolën dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të cilët e kishin shtyrë drejt kandidimit.
E ndërsa Mynyr Koni po humbte mbështetjen e kolegëve, gjë që dukej edhe në konferencat kundër tij, një grup pune nga ministria e Arsimit nisi kontrollin në universitetin e Tiranës. Ish ministrja Lindita Nikolla nuk e publikoi raportin dhe u kërkoi drejtuesve ta zgjidhnin vetë konfliktin.
Por qëndrimi në mbështetje të protestës së studenteve dhe kundër ligjit të Arsimit të Lartë e vunë Mynyr Konin në qendër të sulmeve të kryeministrit.
Fillimisht, në distancë dhe pa e përmendur. Por kryeministri Rama shtoi dozën e sulmit duke iu drejtuar Mynyr Konit, sipas tij pengesa më e madhe në universitete.
Rektori që mungonte në dëgjesat për Arsimin e Lartë, kundërpërgjigjej vetëm përmes rrjeteve sociale. Pas ankesave të shumicës së fakulteteve dhe presionit të studentëve për mos plotësimin e kërkesave nga qeveria, ministria e Arsimit Besa Shahini pezullon rektorin, për shkelje të rënda gjatë detyrës.
Nëse presidenti Ilir Meta brenda një muaji refuzon ta shkarkojë Mynyr Konin, ai rikthehet në detyrë. Në të kundërt postin e tij do ta mbajë zv. rektori deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja.
Ndërsa Mynyr Koni, rasti i parë i një rektori të pezulluar, do t’i kthehet punës si pedagog në fakultetin e shkencave të natyrës.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN