Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Pipero tregon se kur do të jetë fundi i pandemisë

Nga A2 CNN
12 Janar 2021, 20:04 | Aktualitet
Pipero tregon se kur do të jetë fundi i pandemisë

Një ditë pasi bëri vaksinën, mjeku Pëllumb Pipero foli për efektet e saj, pikëpyetjet dhe dyshimet që ngrihen për të, si edhe për fundin e pandemisë.

I ftuar në Ditari në A2 CNN, ai tha se gjysma e dytë e marsit do të shënojë fundin e pandemisë, duke pasur parasysh që fundi i 2020-s shënon valën e dytë dhe janari e shkurti i këtij viti shënojnë valën e tretë të kësaj pandemie të jashtëzakonshme.

“Kjo pandemi nuk mund të ndahet me valë, ky është virus respirator që ka ecurinë e tij fiziologjike. Fundi i vjeshtës konsiderohet si vala e dytë. Unë besoj që gjysma e dytë e janarit dhe shkurti do konsiderohet si vala e tretë dhe nga gjysma e dytë e marsit do të fillojë definitivisht fundi i pandemisë që është në ulje graduale dhe të qëndrueshme”.

I pyetur se nga cili shtet u sigurua vaksina, Pipero tha se e rëndësishme është që nisi procesi i vaksinimit, i cili shënon dhe fillimin e fundit të pandemisë, ndërsa nuk përjashtoi as dyshimet dhe pikëpyetjet mbi të, për shkak të kohës së prodhimit të saj dhe efekteve anësore afatgjata.

“Rëndësi ka që dozat e para të vaksinës erdhën. Kam konstatuar që vaksina ishte e ruajtur dhe procesi i vaksinimit u krye sipas standardeve bashkëkohore dhe të rekomanduara. Duke nisur nga origjina e vaksinës dhe kushtet e ofruara gjithçka ishte normale. Një vaksinë e prodhuar në kushte emergjence në një pandemi të jashtëzakonshme mendoj që do të shoqërohet me shumë pikëpyetje sa i takon shpejtësisë, teknologjisë dhe efikasitetit të prodhimit të vaksinës. Ne jemi mësuar që një vaksinë duhet të kalonte 18-24 muaj që me këtë vaksinë nuk ndodhi, po kushte e emergjencës bënë të mundur që duke ruajtur parametrat e sigurisë dhe efekteve anësore disa hallka të provave në kafshë të tejkaloheshin dhe nuk është kaluar asnjë hallkë në persona vullnetarë. Ne kemi prodhuar një vaksinë të sigurt, me efekte anësore afatshkurtra që dihen dhe me disa pikëpyetje për efektet anësore afatgjata. Në Shqipëri ne nuk i shpëtojmë dot paragjykimeve”.

Sa u takon teorive konspirative, Pipero shpjegon se ato nuk bazohen në fakte, por janë hipoteza që përbëjnë lajm, ndërsa garanton sigurinë e vaksinës dhe thotë se bota do të ishte nën thundrën e viruseve dhe sëmundjeve pa to.

“Teoritë konspirative për fat të keq përbëjnë lajm si çdo informacion tjetër apo mendim që nuk bazohet në fakte, por në hipoteza. Është kurioziteti për të ndjekur diçka që nuk e vërteton dot.

Kam pasur dhe gazetarë që më thonë në konfidencë ta bëjnë apo jo vaksinën nga frika se mos ndryshon gjeni. Vaksinat janë të sigurta dhe pa vaksina kjo botë do të ishte nën thundrën e viruseve dhe sëmundjeve infektive dhe të rastësisë, jo të progresit, shëndetit dhe një të ardhmeje të sigurt. Do të ishte nën peshën e një seleksionimi natyral pa pasur këtë armë të fuqishme, sikurse janë vaksinat për t’u mundësuar kthimin e shëndetit të qytetarëve në përballjen me sëmundjen nga Sars-Cov-2”.

Përsa i takon vaksinimit të tij një ditë më parë, Pipero thekson se ndjehet mirë përkundër gjithë zërave skeptikë.

“Dje, kam pasur dhimbje te vendi i injektimit, sot jam shumë mirë. Më shumë po e ndjej nga memet që qarkullojnë. Ka dhe një lloj presioni pozitiv. Ndihem mirë, përkundër gjithë zërave skeptikë. Duket pa efekte anësore afatshkurtra, shpresojmë të jetë efektive aq saç përshkruhet nga kompania dhe të dhënat nga kolegët tanë kudo në botë dhe certifikimi apo indikatorët e certifikatës së sigurisë nga FDA në SHBA dhe EMA në Europë”.

Pipero e konsideron të dëmshëm propozimin e Greqisë për një certifikatë paneuropianë për të lejuar lëvizjen e lirë të personave që janë vaksinuar. Sipas tij, kjo praktikë nuk është norma dhe nuk mund të aplikohet.

“Një praktikë e tillë edhe pse përflitet nuk është normale dhe racionale. Nuk besoj kurrë se kjo do të aplikohet. Ne të gjitha vaksinat i dokumentojnë. Një praktikë e tillë është e dëmshme dhe kundër saj nga kushdo që e propozon”.

Sa i takon deklaratës së ambasadorit Soreca për mungesën e një plani vaksinimi në Shqipëri, Pipero thekson se çdo vend ndërton politikat e tij në raport me sëmundjen dhe duhet të ndihmohet dhe jo të kritikohet.

“Nuk e kam dëgjuar deklaratën e ambasadorit europian, por di të them se çdo vend në raport me moshën dhe sëmundjen ndërton politikat e tij të vaksinimit që nuk janë shumë të ndryshme nga udhëzimet e OBSH, por përshtaten me vendin.  Dhe çdo vend duhet të mirëkuptohet dhe ndihmohet dhe jo të kritikohet”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë