Plotësohet grupi kuqezi, festa e hidhur e Strakoshës

Pas 48 orëve të para të trazuara, në grumbullimin e Kombëtares për startin e kualifikueseve të Euro 2020, duket se është kthyer normaliteti. Ylber Ramadani dhe Lorenc Trashi plotësuan grupin kuqezi, aty ku optimizëm ka edhe për gjendjen e sulmuesit Bekim Balaj, i cili pas kontrolleve mjekësore duket gati për dy ndeshjet me Turqinë dhe Andorrën.
Ndryshe nga herët e tjera, trajneri Panucci foli shumë shkurt me lojtarët. Ndoshta sepse përpara debutimit në Loro Boriçi është thënë dhe është bërë më tepër nga sa duhej.
Nga situatat me dëmtimet e Lilës dhe Binakut, luftës së hapur që Ermir Lenjani i shpalli drejtuesit të stolit, apo refuzimit të klubit të Malagas për të lënë të lirë Kejdi Baren.
Pa harruar përjashtimin e portierit Thomas Strakoshës nga këto dy ndeshje, sepse portieri humbi fluturimin. Masë ekstreme vetëm pak orë përpara asaj që duhej të ishte një ditë e veçantë për yllin e Lacios.
Portieri kuqezi festoi i vetëm në Romë ditëlindjen e tij, ndërkohë që ekipi festoi në Durrës kuzhinierin e Kombëtares.
Shefi Arben Petani është padyshim një figurë e rëndësishme për dietën ushqimore të futbollistëve, në resortin Tropikal, rezidencën e zakonshme të Kombëtares.
Në imazhet e publikuara duket se trajneri Panuçi është personi që e ka përgëzuar më tepër, i ka dhuruar një fanellë së bashku me kapitenin e skuadrës për këto ndeshje, Elseid Hysaj, ndërsa lojtarët e kanë duartrokitur. Ndërkohë, Strakosha, i dënuar për thyerje të disiplinës festoi në Romë, por me sytë dhe mendjen nga kuqezinjtë.

Shkarkoni aplikacionin e A2