Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Prej një viti pa aktivitet, sportet e sallave do të hapen brenda një muaji

Nga A2 CNN
19 Janar 2021, 16:36 | Sporte të tjera
Prej një viti pa aktivitet, sportet e sallave do të hapen brenda

Me 2020-n që u fshi nga kalendari dhe prej një viti pa gara kombëtare, tashmë sportet e sallave mund të festojnë. Disiplinat që praktikohen në ambiente të mbyllura apo pallate sporti pritet të kthehen në aktivitet në fund të muajit janar, ose maksimalisht në muajin shkurt.

Lajmi i madh vjen nga trajneri i Kombëtares së boksit, Zef Gjoni, ndërsa festojnë edhe disiplina si volejbolli dhe basketbolli. 

“Për garat kombëtare mendojmë 100% që ose në fund të muajit, ose në mesin e muajit shkurt do të hapen palestrat dhe do të vazhdojnë aktivitetet. Sportet në salla të mbyllura apo palestra janë hapur kudo në Ballkan, vetëm në Shqipëri janë të ndaluara. Në Kosovë, Malin e Zi, Bullgari e Maqedoni bëhen të gjitha aktivitetet, boksi dhe sportet e tjera. Tani mendojmë që edhe këtu do të hapen”, tha Zef Gjoni.

Pas 30 viteve të suksesshme, ku ka fituar edhe 22 tituj kampionë në çerekshekullin e fundit, Zef Gjoni largohet nga skuadra e boksit të Vllaznisë. Arsyet lidhen me neglizhencën e Bashkisë Shkodër.

“Sa të hapet kampionati, Zef Gjoni nuk do të jetë më trajner i Vllaznisë. Arsyeja? Dalja në pension. Nuk më takon të marr rrogë dhe jam dakord, por nuk marr as honorare. Nuk është problemi për 10 mijë lekë të reja, por as në letra nuk figuroj si trajner, ndërkohë që jam trajner i kombëtares”, shtoi Gjoni.

Shqipëria e Boksit do të marrë pjesë në kampionatin ballkanik në Kroaci, ndërsa nuk mungojnë edhe turnetë ndërkombëtare, që vlejnë edhe kualifikimin në Lojërat Olimpike.

A2 CNN Livestream

Dita jonë