Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Presidenca e Këshillit të BE, zgjerimi dhe Brexit, dy prioritetet kryesore të Kroacisë

Nga A2 CNN
2 Janar 2020, 11:56 | Bota
Presidenca e Këshillit të BE, zgjerimi dhe Brexit, dy prioritetet

Për herë të parë që prej anëtarësimit, Kroacia ka marrë drejtimin e Këshillit të Bashkimit Europian.

Qeveria e Zagrebit vendosi dhe prioritetet kryesore për 6 mujorin e parë të 2020. Në fokus kryesor pritet të jetë çështja e zgjerimit. Kroacia synon të nxisë negociatat për integrimin e mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sigurisht kjo lidhet me caktimin e datës zyrtare për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Por në axhendën kroate qëndron edhe vazhdimi i mëtejshëm i negociatave me Serbinë, si edhe afrimi I Bosnje-Hercegovinës me BE. Për këtë do të zhvillohet në maj një samit i posaçëm i BE në Zagreb.

Një tjetër prioritet pritet të jetë çështja Brexit. Më 31 janar, Britania e Madhe do të largohet zyrtarisht nga BE. Më pas do të nisin dhe bisedimet për marrëdhëniet e ardhshme mes Londrës dhe Brukselit, në mënyrë që të negociohen dhe marrëveshjet për tregtinë e lirë. 

“Ne duam të ndihmojmë, që të gjithë anëtarët e BE dhe Parlamenti Europian të ratifikojnë marrëveshjen për përfundimin e anëtarësimit britanik në BE që në janar, kështu që të kemi 11 muaj kohë për të arritur një ujdi për marrëdhëniet e ardhshme”, deklaroi Andrej Plenkovic, kryeministër i Kroacisë.

Ai bëri me dije se kryengeociatori i BE për Brexit do të mbesë Michel Barnier. Gjithashtu, Presidenca kroate e Këshillit të Unionit do të fokusohet edhe tek tematika e emigracionit dhe ruajtjen e kufijve të BE-së. Pas Kroacisë, Presidencën e Këshillit të BE-së do ta marrë Gjermania më 1 korrik.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani