Problemet e tregut me sigurinë e ushqimeve

Një ndër problemet më të mëdha me të cilin përballen konsumatorët shqiptarë sot është mungesa e sigurisë për shumë produkte dhe shërbime. Kjo pasi një pjesë e mirë e tyre nuk janë të certifikuar, duke mos ofruar garanci për tregun.

Më i ndjeshëm nga të gjithë është rasti i produkteve shtazore dhe atyre bimore, për nga mënyra sesi tregtohen dhe iu ofrohen konsumatorëve. Të dhënat zyrtare të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit tregojnë se gjatë vitit 2019, në terren janë kryer mbi 29 mijë inspektime dhe janë vendosur 904 gjoba, me një vlerë të arkëtuar prej rreth 259 milionë lekësh.

Edhe pse ligji i ushqimit kërkon që të gjitha produktet të jenë të certifikuara me certifikatën Hasap, ekspertët ngrenë dyshime për mënyrën sesi sigurohen këto licenca. Probleme me certifikimin ka edhe për produktet dhe shërbimet e tjera në Shqipëri, në një kohë kur tregu është i parregulluar.

Por për herë të parë, ashtu si edhe në 45 vende të botës, konsumatorëve shqiptarë do t’u jepet mundësia të votojnë për produktet që ata mendojnë se janë më cilësore. Kompania “Përzgjedhur Produkti i Vitit” që sapo ka nisur aktivitetin e saj në Shqipëri, do të orientojë blerësit drejt produkteve inovative më të mira në treg si dhe të shpërblejë prodhuesit për produktet e tyre më të reja. Por për më shumë ndjekim materialin.

Të ftuara në A2 Business: Ilda Mara, CEO, Përzgjedhur Produkti I Vitit Shqipëri dhe Valbona Paluka, eksperte për sigurinë ushqimore.