Procesi i Brexit, divorci me BE dhe raportet tregtare, 2020 sfidë për Britaninë

2020 do të jetë një vit intensiv për Britaninë e Madhe. Sipas analistëve, Londra do të përballet me negociata jo të lehta sa i përket marrëdhënies së re me Bashkimin Europian, ndërsa përgatitet të largohet zyrtarisht nga blloku në fund të këtij muaji.
Kryeministri Boris Johnson, ka premtuar të bashkojë vendin e përçarë me ligjvënësit e rinj që aprovuan në parim ujdinë e divorcit nga BE. Por dekada e re, sjell detyra të jashtëzakonshme si ajo e përfundimit të procesit Brexit dhe rikthimit të besimit publik në politikë.
Por detyra më e rëndësishme për qeverinë e Londrës do të nisë me 1 mars, kur startojnë negociatat për marrëveshjen tregtare me Brukselin. Një betejë që pritet të intensifikohet në samitin mes Britanisë së Madhe dhe 27 vendeve të tjera anëtare që zhvillohet në qershor.
“Do të sugjeroja që të mos kemi marrëdhënie të mirë vetëm me Shtetet e Bashkuara, por edhe me Indinë apo Kinën, pasi janë ekonomi gjithnjë e në zhvillim”, thotë analisti Chris Bambery.
Deri më 26 nëntor, Parlamenti Europian pret të arrihet një marrëveshje tregtare dhe të jetë gati për ratifikim deri në fund të vitit. Nëse Johnson dështon ta arrijë atë, Britania largohet nga Unioni duke rënë në kushtet bazë të Organizatës Botërore të Tregtisë, që do të thotë se për shkëmbimet tregtare do të aplikohet tarifa dhe nuk do të ketë trajtime speciale kufitare.