Procesi i regjistrimit në RMV, dështon seanca për shtyrjen e tij

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nuk arriti të mbajë seancë për anulimin e regjistrimit të popullsisë, për çfarë ishin dakordësuar liderët e dy partive politike maqedonase, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickovski. Sipas tyre thanë se regjistrimi duhet të shtyhet për shkak të situatës së rënduar me pandeminë e koronavirusit.
“Përkundër këmbënguljes sime gjatë ditës së mërkurë për harmonizimin e qëndrimeve të të gjitha partive politike, për arritjen e marrëveshjes dhe mbajtjen e dy seancave, në të cilat do të votoheshin projektligji për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në vitin 2021 dhe ai për zgjatjen e afatit të gjendjes së krizës, që nuk u arrit marrëveshje” deklaroi kreu i Kuvendit Talat Xhaferi.
Në mbledhjen me drejtuesit e grupeve parlamentare, siç bëri të ditur Xhaferi, të gjitha partitë, përveç Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, kanë shprehur gatishmëri për mbajtjen e seancës. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, që janë në opozitë, të martën kanë deklaruar se do të bllokojnë miratimin e ligjit për shtyrjen e regjistrimit.
Mosmiratimi i ligjit, ndërkohë, ka lënë pezull regjistrimin e popullsisë që duhet të nisë sot, më 1 prill. Nga Enti shtetëror i statistikës kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se regjistrimi nuk do të fillojë, ndërsa në qeverinë Zaev opinionet janë të ndryshme. Ministri i Drejtësisë, deklaron se regjistrimi, duhet të nisë në 1 prill sipas ligjit aktual, por për kryeministrin diçka e tillë është e palogjikshme. Opozita shqiptare thotë se mbetet në qëndrimin për të parandaluar anulimin e regjistrimit. Regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut ka nisur më 1 mars me regjistrimin e diasporës.