Projekti i Vlorës, Rama: Prej nëntorit, Ilir Meta ka bllokuar marrjen e fondeve

Shiu nuk e ndali kryeministrin Rama që të inspektojë nga afër kantieret e hapura në Vlorë. Nga zgjatimi i Lungomares, kryebashkiaku Dritan Leli bëri të ditur shqetësimin e tij, për një bllokim nga presidenti Ilir Meta të projektit për rrugën pas ujit të ftohtë deri në Orikum.
Rama, që deri më tani kishte dashur ta linte jashtë vëmendjes mediatike këtë çështje, nuk hezitoi që të shigjetojë Ilir Metën.
“Nga fillimi i nëntorit presim autorizimin formal të presidentit, pasi kemi bërë gjithë negociatën me fondin saudit. Ne fakt, është një bllokim total”, ishin fjalët e kryeministrit.
Në Vlorë ka nisur projekti i ri i infrastrukturës turistike, që do të lidhë Ujin e Ftohtë me Radhimën dhe Orikumin, me rrugën ekzistuese të cilës do t’i shtohet edhe korsia e biçikletave.
Paralelisht, ka nisur edhe investimi në ujësjellës, me tre projekte të rëndësishme të financuara nga qeveria shqiptare, të cilat do të pasohen nga projekti përmbyllës i furnizimit me ujë 24 orë të krejt Vlorës, financuar nga Banka Gjermane për Zhvillimin.