Protesta e gjashtë e opozitës, qetësia dhe masat para zyrës së Ramës

Pak orë para protestës së gjashtë kombëtare të opozitës, bulevardi para zyrës së Edi Ramës përjetonte qetësinë e orëve të paradites së një të shtune.

Prezenca policore ishte e pakët. Çfarë njoftonte pritjen një proteste ishte gardhi metalik përgjatë trotuarit që rrethon Kryeministrinë. Në pjesën e pasme të saj po merreshin masat e fundit për të blinduar hyrjen dytësore në selinë e Qeverisë.

E ngjashme ishte edhe situata në selinë e Parlamentit. Pak uniforma blu dhe njerëz nën hijet e pemëve që injorojnë telin me gjemba dhe gardhin metalik. Edhe për këtë të shtunë, opozita ka njoftuar autoritetet se do të protestojë nga ora 7 e mbrëmjes deri në mesnatë. Dy javë më parë ishin bombat molotov që surprizuan, duke sjellë një seri reagimesh të forta ndërkombëtare që dënonin dhunën. Ndërsa kjo protestë vjen në një moment ku partnerët gjermanë janë ofruar për të ndihmuar palët të ulen pa kushte në tryezën e dialogut, ndonëse vetëm një ditë më parë Lulzim Basha konfirmoi nga Mati se nuk hiqte dorë nga kushti i tij.

Pavarësisht kësaj, Edi Rama vazhdon t’i shkruajë rivalit duke e ftuar në dialog, ndonëse kryedemokrati prej disa ditësh flet për një betejë për jetë a vdekje.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN