Pse i ndryshoi Rama ministrat “veteranë”? – A2

Pse i ndryshoi Rama ministrat “veteranë”?

Diplomati Lisen Bashkurti ishte i ftuar në “A2 Sot” ku foli për ndryshimet e mëdha në qeveri të prezantuara ditën e sotme nga Kryeministri Rama në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Bashkurti e cilësoi si të duhur vendimin për të larguar pjesën më të madhe të ministrave nga qeveria “Rama 2”, duke u shprehur se disa prej tyre ishin të konsumuar, ndërsa të tjerë të ngarkuar me akte korruptive, të paktën në opinionin e publikut.

“Lëvizjet që bëri kryeministri sot janë përpjekje për të ulur pakënaqësitë dhe për të ngritur besimin, për të restauruar besimin te qytetarët. Se sa do të ketë efekt, kjo mbetet për t’u parë. Është shumë e rëndësishme që të ngrihet niveli profesional i qeverisë. Kërkohen parime qeverisëse shumë të qarta. Mendoi se është bërë lëvizja e duhur me largimet, pasi ata ministra janë konsumuar, disa kanë pasur probleme shumë të mëdha, të tjerë, të paktën në opinionin publik, janë të ngarkuar me akte korruptive dhe me përgjegjësi të tjera morale dhe të integritetit. Ndërsa për këta që kanë ardhur, duhet të presim dhe të shohim. Ata kanë nevojë për një mbështetje shumë të madhe”, u shpreh Lisen Bashkurti.

Ai bëri edhe një koment të shkurtër të vitit 2018 që po mbyllet duke e cilësuar atë që një vit të protestave sociale.

“2018 ishte një vit protestash sociale, që erdhën në formën e një orteku, që nisi nga Kukësi e u mbyll me studentët. Më e madhja është protesta e heshtur e largimeve masive nga vendi. Pritshmëritë për këtë qeverinë kanë qenë shumë të mëdha dhe zhgënjimet janë po kaq të mëdha”, u shpreh Lisen Bashkurti.

Shkarkoni aplikacionin e A2