Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 50%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 50%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Pushimet e fundvitit dhe dimëroret, shqiptarët ikin në Europë e Lindje, të huajt joshen nga Thethi dhe Korça

Nga A2 CNN
6 Janar 2023, 15:00 | Ekonomi

Nga Barcelona në Stamboll, me Vienën, Parisin, Brukselin dhe Amsterdamin e frekuentuar tradicionalisht, por edhe Dubain e largët apo Mavrovën e Brezovicën pak kilometra larg. Është kjo një pjesë e hartës së gjerë të destinacioneve ku shqiptarët po kalojnë pushimet dimërore, përfshirë festat e fundvitit të sapo lëna pas.

“Shqiptarët kanë preferuar më tepër vendet e Europës, pasi aty festohet ngjashëm me ne. Kush e ka lënë për moment të fundit dhe nuk ka mundur të përfitojë nga ofertat ka zgjedhur vendet e Rajonit”, thotë Jetmira Hoxha, përfaqësuese e një agjencie turistike.

Referuar çmimeve në faqet zyrtare të disa prej agjencive më të mëdha turistike në vend, një paketë 4-ditore në vendet e Europës kushton nga 160 deri në gati 560 euro, ndërsa shuma zgjerohet në rreth 800 euro për Dubain. Në raport me një vit më parë, çmimet janë shtrenjtuar me 20 deri në 40 për qind. “Këtë vit, biletë avioni bashkë me akomodim, për ata që kanë pasur fatin të rezervojnë më parë ka kushtuar rreth 349 euro ndërsa vjet mund ta kenë gjetur për maksimalisht 200 euro”, thotë Hoxha.

E teksa të shumtë janë shqiptarët që duke përfituar nga heqja e masave kufizuese në kufij, ndryshe nga dimrat e shkuar kanë zgjedhur të pushojnë jashtë, nuk mungojnë as të huaj që joshen nga ajo çka Shqipëria ofron këtë stinë. “Këtë vit, ndryshe nga sa më herët, turistët e huaj po vijnë më të organizuar. Ata vijnë kryesisht nga vendet e Rajonit, por edhe Europa e Lindja e Mesme”, thotë Ferjolt Ozuni, operator turistik.

Ndonëse të shtrenjtuara në raport me një vit më parë, për po të njëjtën sasi kohore, ndjeshëm më pak kushtojnë pushimet dimërore në vend. Ato luhaten nga 120 euro në Korçë e Voskopojë në 110 euro në Valbonë e Theth apo rreth 90 euro në Durrës. Shtimi i linjave direkte me disa shtete, por edhe zgjerimi i kapaciteteve akomoduese janë disa nga arsyet që sipas përfaqësuesve të agjencive të udhëtimeve po ndikojnë në shtimin e turizmit edhe gjatë dimrit.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli