Pushimet verore, liderët europianë sugjerojnë zbutje të kufizimeve

Ndërsa shpresohet që stina e verës, të ofrojë një armëpushim në luftën më COVID-19, të gjithë pyesin nëse pushimet e këtij viti do t’i afrohen sado pak normales.
Më e rëndësishmja, a do t’i hapë Evropa dyert për pushuesit këtë vit? Deklaratat e disa liderëve europianë janë optimiste. Gjatë një interviste për “Il Fatto Quotidiano”, kryeministri Guiseppe Conte tha se shpreson që italianët do të jenë në gjendje të shijojnë sezonin veror, nëse situata me pandeminë do të mbetet nën kontroll.
Kryeministri la të kuptohet se edhe udhëtimet jashtë vendit mund të lejohen, edhe pse fton bashkëqytetarët të pushojnë në Itali.
“Ndoshta me më shumë kujdes se më parë, por do të shkojmë në plazh apo mal. Do të ishte mirë që për të ndihmuar sektorin e goditur rëndë të turizmit, të gjithë italianët t’i kalonin pushimet brenda vendit”, ishin fjalët e kryeministrit italian.
Gjithashtu komisioneri gjerman për turizmin Thomash Bareiss tha për gazetën Der Tagesspiegel më herët gjatë javës së nëse pandemia do të vazhdojë të jetë nën kontroll, qytetarët do të mund të udhëtojnë jashtë vendit pas 4 ose 8 javësh.
Sipas tij, destinacionet e lejuara do të jenë kryesisht shtete fqinje, por nuk mund të përjashtohen edhe rajone të tjera në Europë, si ishujt Baleare apo ato greke.
Ministri grek i Turizmit Haris Theocharis tha për BBC se vendi i tij planifikon të rihapet gradualisht për vizitorët. Udhëtimi me makinë sipas tij, do të jetë fillimisht më i sigurtë se sa ai në rrugë ajrore, dhe ky lloj turizmi do të favorizohet më herët.
Franca ndërkaq, preferon të tregohet më e përmbajtur. Presidenti francez Emanuel Macron tha për gazetarët se ishte shumë herët për të menduar për pushimet, duke shtuar se gjithçka do të bëhej më e qartë në qershor.