Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Qëndrimi i OBSH: Koronavirusi ka origjinë natyrore, kemi prova konkrete

Nga A2 CNN
5 Maj 2020, 13:08 | Bota
Qëndrimi i OBSH: Koronavirusi ka origjinë natyrore, kemi prova

Koronavirusi i ri ka origjinë natyrore. Pohimi vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që hodhi poshtë pretendimet e qeverisë amerikane lidhur me prejardhjen e virusit pandemik, duke nënvizuar se ka prova konkrete që e konfirmojnë këtë. Kjo është kundërpërgjigjja zyrtare e OBSH-së ndaj presidentit amerikan, Donald Trump dhe sekretarit të shtetit, Mike Pompeo, të cilët pretendojnë se Covid-19 doli nga Instituti Kërkimor i Virologjisë në Wuhan të Kinës.

“Nga të gjitha sekuencat që janë në dispozicion, dhe besoj se janë më shumë se 15 mijë sekuenca të plota gjenomi, tregojnë se virusi ka një origjinë natyrore”, tha Maria van Kerkhove, Drejtoreshë Teknike e Programit të Emergjencave në OBSH.

Ndërsa, Michael Ryan, Drejtori Ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore i OBSH-së, i kërkoi Shteteve të Bashkuara që të tregojnë provat e tyre nëse dyshojnë për origjinën e koronavirusit.

“Ne nuk kemi marrë asnjë provë specifike nga qeveria amerikane lidhur me supozimet për origjinën e virusit, kështu që nga perspektiva jonë, mbetet spekulative. Por, nëse ato të dhëna apo prova ekzistojnë, i takon qeverisë së SHBA-së që të vendosë nëse dhe kur mund t’i ndajnë me ne. Prandaj, ne fokusohemi tek ato që dimë, te provat që kemi. Këto prova, pra studimi i ADN-së, na këshillon se virusi ka origjinë natyrore”, tha Michael Ryan, Drejtor Ekzekutiv i Programit të Emergjencave në OBSH. Ai vlerësoi sërish përpjekjet e shkencëtarëve të Kinës që prej shpërthimit të pandemisë, duke nxitur botën që të ndjekë shembullin e tyre, ndërsa nënvizoi se Pekini është i gatshëm të ndajë informacione dhe të ndihmojë vendet e tjera.

A2 CNN Livestream

Dita jonë