Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Qeveria jokushtetuese e Kosovës: Si arritëm këtu?

Nga A2 CNN
22 Dhjetor 2020, 18:23 | Kosova

Mbrëmjen e 21 dhjetorit, një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e shpalli jokushtetuese qeverinë e kryesuar nga Avdullah Hoti, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Por, çfarë ndodhi ekzaktësisht dhe si arriti puna deri këtu?

Pse qeveria konsiderohet jokushtetuese?

Gjykata Kushtetuese vendosi se, “qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, në votimin e 3 qershorit 2020. Sipas gjykatës, arsyeja është sepse Ethem Arifi, një nga deputetët që votoi për formimin e qeverisë Hoti, kishte një dënim gjykate të formës së prerë dhe si tillë, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm”.

Pse Arifi është i rëndësishëm?

Sepse, pa votën e Ethem Arifit nuk bëheshin numrat e nevojshëm për të votuar qeverinë Hoti. Formimi i një qeverie në Kosovë kërkon një shumicë të thjeshtë parlamentare, prej 61 deputetësh nga 120 që është totali. Deputeti Ethem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë dhe në pritje për t’u burgosur, përfaqësonte një nga 61 votat vendimtare për formimin e qeverisë.

Ethem Arifi

Kush është Ethem Arifi?

Deputeti i Partisë së Ashkalinjëve për Integrim u dënua me një vit e tre muaj burg për mashtrim. Ai kishte përvetësuar 26 mijë euro në bashkëpunim me drejtorin e një OJQ-je. Arifi arriti që të merrte pjesë në votimet për rrëzimin e Kurtit dhe emërimin e Hotit pasi kishte kërkuar shtyrje të ekzekutimit të dënimit për arsye shëndetësore. Pasi nuk u paraqit për të vuajtur dënimin, një urdhërarresti u lëshua për deputetin. Pas disa javësh në arrati, Arifi u vetëdorëzua në shtator dhe tani ndodhet në burg.

Si erdhi puna deri këtu?

Formimi i qeverisë Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) erdhi pas rrëzimit të qeverisë së Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e të cilit doli partia e parë në zgjedhjet e tetorit 2019. Dy partitë arritën të krijojnë një koalicion jetëshkurtër qeverisës të kryesuar nga Kurti, në shkurt të vitit 2020. Koalicioni LVV-LDK, u përça pas një sërë ndasish. Qeveria Kurti u rrëzua me 82 vota vetëm 50 ditë pas formimit të saj.

https://a2news.com/2020/06/11/a-ka-pasur-gisht-shba-ne-rrezimin-e-kurtit-xharra-nuk-ka-pasur-gisht-por-ka-pasur-dore/

Pse u prish koalicioni?

Mosdakordësimi për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë, qëndrimi ndaj kërkesave të administratës Trump dhe të dërguarit special Richard Grenell, si dhe disa qëndrime mbi masat e menaxhimit të pandemisë, janë ndër arsyet kryesore. Koalicioni e mori goditjen përfundimtare kur kryeministri Kurti shkarkoi ministrin e Brendshëm nga radhët e LDK-së, Agim Veliu, me arsyetimin që ky i fundit kishte refuzuar haptazi vendimet e qeverisë për masat anti-covid. Deputetët e LDK-së pretenduan se prishja e marrëdhënieve me SHBA-në ishte arsyeja e vërtetë e prishjes së koalicionit. Me vonë, Kurti akuzoi publikisht Grenell se kishte ndikuar në rrëzimin e qeverisë së tij.

Çfarë bëri qeveria Hoti?

Qeveria Hoti u formua përmes një koalicioni të ri të brishtë mes LDK-së, AAK-së, Nismës dhe partive të pakicave, përfshi Listën Serbe të kontrolluar nga Beogradi, të cilën Kurti e mbajti jashtë koalicionit. Një nga vendimet e para ishte heqja e reciprocitetit me Serbinë të vendosur nga Kurti. Qeveria Hoti nënshkroi një marrëveshje në Uashington për bashkëpunim me Serbinë. Më vonë, Avdullah Hoti njoftoi në Facebook se i ishte përgjigjur pozitivisht një sugjerimi të Richard Grenell për ta pagëzuar liqenin e Ujmanit si “Liqeni Trump”.

https://a2news.com/2020/09/04/permbyllet-takimi-i-uashingtonit-trump-nenshkruan-marreveshje-me-kosoven-e-serbine/

A funksionoi koalicioni i ri?

Koalicioni shënoi që në fillim krisje të dukshme dhe përplasje publike mes partive anëtare. Një rast përfaqësues i mbarëvajtjes së qeverisë dhe koalicionit është ai i dështimit për 9 herë rresht të votimit në kuvend të një ligji për rimëkëmbjen ekonomike për mungesë kuorumi. Përveç deputetëve nga partitë aleate, nganjëherë në sallë mungonin edhe vetë deputetët e LDK-së. Ligji u votua vetëm herën e 10, pas mbështetjes së partive opozitare. Një krizë politike për emrin e presidentit të ri të Kosovës kishte pushtuar koalicionin prej javësh duke paralajmëruar për zgjedhje të parakohshme.

Çfarë bëri Vetëvendosje në opozitë?

Në fjalimin e tij të fundit si kryeministër, Kurti paralajmëroi se qeveria që do të vinte pas do të ishte disfunksionale, duke e quajtur “Qeveria Koti”. Pavarësisht kritikave sporadike gjatë ekzistencës 200-ditore të qeverisë Hoti, Vetëvendosje mbajti një rol përgjithësisht pasiv dhe me reagime të rralla publike.

Kostot politike

Dy ish-partnerët LVV dhe LDK u përballën në zgjedhjet lokale në Podujevë, në muajin nëntor. I cilësuar si bastion i LDK-së, komuna e Kosovës pa kandidatin e Vetëvendosje të fitonte pa balotazh. Rëndësia e këtyre zgjedhjeve ishte edhe simbolike sepse Agim Veliu, shkarkimi i të cilit nga Kurti ishte arsyeja formale e prishjes së koalicionit mes dy partive, shërbente si Kryetar i Podujevës para se të emërohej si ministër i Brendshëm. Gara për zëvendësimin e tij shënoi një humbje të thellë të LDK-së në një nga zonat ku ajo ndihej e sigurt jo më larg se një vit më parë.

https://a2news.com/2020/11/30/ldk-humb-podujeven-vetevendosja-merr-kryesimin-e-komunes/

Koha është gjithçka

Vendimi i Kushtetueses për paligjshmërinë e qeverisë Hoti dhe zgjedhje të reja në Kosovë vjen në një kohë ndryshimesh të mëdha. Ish-presidenti Thaçi – një nga figurat dominuese të politikës kosovare – ka dhënë dorëheqjen dhe ndodhet në Hagë duke u gjykuar për krime lufte. Në vend të tij është ulur Vjosa Osmani, aleate politike e Kurtit. Përveçse kryetare e kuvendit, tani edhe ushtruese e detyrës së presidentit, Osmani është personi që duhet të thërrasë zgjedhjet e reja. Gjithashtu, në Hagë ndodhet edhe ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Partia tani udhëhiqet nga Enver Hoxhaj. Ndërsa në SHBA, Trump humbi zgjedhjet, duke shënuar daljen efektive nga skena të Richard Grenell. Me një pjesë të aktorëve kryesorë politikë jashtë lojës, zgjedhjet e ardhshme në Kosovë do të mbahen në një kontekst shumë të ndryshëm nga ai i zgjedhjeve të fundit.

https://a2news.com/2020/12/17/ish-kreret-e-uck-perballe-gjykates-speciale-seanca-e-radhes-ne-janar/

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani