Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Qeveria rishikon buxhetin, A2 siguron Aktin Normativ me ndërhyrjet

Nga A2 CNN
17 Prill 2020, 17:13 | Ekonomi

A2 siguron Aktin Normativ të rishikimit të buxhetit. Në këtë dokument pasqyrohen ndërhyrjet që qeveria i ka bërë draftit më të rëndësishëm të financave publike, për të krijuar fondet e nevojshme për të përballuar emergjenca të mundshme nga COVID-19.

Në aktin normativ janë shkurtuar me 5.5 miliardë lekë shpenzimet e qeverisë qendrore dhe është rritur deri në 16.2 miliardë lekë Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave. “Fondi rezervë i buxhetit prej 16.2 miliardë lekësh përdoret nga Këshilli i Ministrave si më poshtë: 1.7 miliardë lekë për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme. 13.5 miliardë lekë si kontigjencë per paketën sociale anti Covid-19. 1 miliard lekë për emergjenca të tjera në kuadër të masave anti-covid 19”, theksohet në Aktin Normativ.

Gjithashtu, rialokimet kanë mundësuar krijimin e një kontigjence për risqet e borxhit në vlerën e 4 miliardë lekëve. “Kontigjenca për risqet e borxhit prej 4 miliardë lekësh përdoret nga Ministri përgjegjës për Financat për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në shpenzimet për interesa”, theksohet në draftin e Aktin Normativ të Ministrisë së Financave.

Dokumenti pritet të kalojë për miratim në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave dhe të hyjë menjëherë në fuqi.

Kjo është hera e dytë që qeveria rishikon buxhetin e këtij viti, në përpjekje për të përballuar krizën që po shkakton koronavirusi. Ndërhyrja e parë ndodhi në mars dhe shërbeu për të mbuluar një pjesë të kostove të paketës së parë financiare.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani