Radiologu në Krujë për COVID-19: I kam të ngulitura imazhet, raste të tilla ka patur edhe në Janar

Në Krujë vijon të këtë rritje të numrit të të prekurve me COVID-19. Vetëm sot u regjistruan 5 rastet te reja duke çuar totalin ne 81. Për mjekun radiolog Ardian Mata, i cili punon pikërisht në atë qytet, situata po bëhet gjithmonë më e rëndë, dhe rrezikon një paradoks.
“Me shtimin e tamponëve janë shtuar shumë edhe rastet, në veçanti të atyre që punojnë në fasoneri dhe familjarëve të tyre. Në Shqipëri kurba e infeksionit po bie, ndërkohë që në Krujë po rritet”, thotë Mata, i cili shton se emergjente është edhe situata e karantinimit, ku mungojnë sipas tij udhëzime të qarta.
Por mjeku denoncon edhe një fakt tjetër, që mund të ndryshojë kalendarin e infektimit të virusit në Shqipëri.
“Çdo vit kemi viroza, dhe personat i drejtohen radiologut. Por shumë imazhe që kemi parë në janar dhe në fillim të shkurtit janë pothuajse identike me ato që po gjykohen si pozitiv nga COVID-19, me dëmtime të mushkërive që nuk rezultojnë në virozat e tjera”, deklaroi mjeku.
Edhe pse epidemiologët në Tiranë mohojnë një mundësi të tillë, Mata thotë se “ata duhet të paraqesin argumente, se unë si imazherist i kam të ngulitura ato imazhe”, duke shtuar se në shumë spitale të rretheve pamje imazherike të tilla nuk janë vlerësuar ashtu siç duhej.