Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Raportet e PD e PS për vetting në politikë

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2018, 16:56 | Politikë
Raportet e PD e PS për vetting në politikë

Në atë që është parashikuar si seanca e fundit plenare, Kuvendi do të hedhë në votim nismën e PD për vetting të politikanëve.

Kthimi i mundshëm i opozitës për votimin e amendamenteve kushtetuese do të shpëtonte në këtë mënyrë edhe mandatet e deputetëve të pakicës, të cilët mungojnë prej muajsh në Kuvend.

Konsensusi deri më tani mungon dhe mazhoranca e opozita do të shkojnë në seancë plenare me dy raporte për propozimin e demokratëve.

27 faqe është raporti i shumicës me relatorë Vasilika Hysin. Raporti vëren se paketa e propozuar është në kundërshtim me normat kushtetuese dhe Konventën për të Drejtat e Njeriut, pasi cenon të drejtën për t’u zgjedhur.

Projektligji cenon reputacionin jo mes një procesi ose vendimmarrje gjyqësore, por ndërprerja e mandatit ose ndalimi për kandidim bëhet për shkak të çdo kontakti me persona të përfshirë në krim të organizuar, pavarësisht lidhjeve familjare, kontakteve për shkak të punës ose ushtrimit të funksionit.

Mazhoranca thotë gjithashtu se nga analiza e nismës ligjore konstatohet paqartësi në lidhje me strukturën që do të realizojë vetting-un e politikës. “Një sërë pyetjes nuk marrin përgjigje si: Kush do t’i hetojë “politikanët”?!; Çfarë e garanton, që ky organ nuk do të përdoret politikisht?!; Çfarë do të ishte ky organ, Kush do tata krijonte atë”, thuhet në raport.

Nga mënyra si është hartuar projektligji konstatojmë se propozimi për vetting-un në politikë është “një kostum i ngushtë” për zyrtarët publikë/politikanët, vetting-un për të cilët besojmë se duhet ta bëjë drejtësia e reformuar”, thotë në raport shumica duke paralajmëruar rrëzim të propozimit demokrat.

9 faqe është raporti i opozitës për propozimin e saj. Relatori Oerd Bylykbashi thotë se kjo iniciativë nga pikëpamja e përmbajtjes, përmbush standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare, që garantojnë mirëfunksionimin demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese apo të krijuara me ligj, nëpërmjet shmangies nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje i funksionarëve që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Sipas Bylykbashit, Kushtetuta lejon kufizimin me ligj të të drejtave themelore për një interes publik dhe nuk cenon thelbin e së drejtës. “Kufizimi me ligj i të drejtave të caktuara politike përfshirë atyre zgjedhore, është i pranueshëm në një shoqëri demokratike, si një masë që synon mbrojtjen e sistemit dhe vlerave demokratike dhe institucioneve përkatëse nga influencat kriminale në përzgjedhjen e zyrtarëve, politikbërjen dhe vendimmarrjen”, thuhet në raport.

Futja e një mekanizimi special verifikimi për zyrtarët publik, që mundëson shkëputjen e lidhjeve midis krimit të organizuar dhe zyrtarëve të lartë publikë, është i nevojshëm, thotë opozita prandaj kërkon miratimin e saj në Kuvend.

A2 CNN Livestream

Dita jonë