Raporti i Avokatit të Popullit: Qeveria dështoi me ndihmën ekonomike

Qeveria nxori nga skema me mijëra familje vitin e kaluar, por nuk rriti pagesat për ata që mbetën në skemë. Është ky fakti që evidenton Avokati i Shtetit në raportin vjetor dorëzuar në Kuvend.

Në dokumentin zyrtar evidentohet se në vitin 2018 u vu në funksionim sistemi i pikëzimit elektronik, i cili sipas institucionit të Avokatit të Popullit, solli shumë problematika. E para ishte përjashtimi nga skema i 30% të përfituesve. Ndërkohë që për ata që mbetën në skemë, të ardhurat mujore nuk u rritën.

“Mirëpo, nëse u përjashtuan nga përfitimi 30% i përfituesve, rritja në masë e ndihmës ekonomike nuk u reflektua me një vlerë të përfillshme, për ta konsideruar këtë shumë dinjitoze në sigurimin e mjeteve më të domosdoshme për të jetuar e jo më pastaj për të folur për qëllimin e saj: zhdukjen e varfërisë dhe riintegrimin në shoqëri”, thekson raporti.

Një problematikë e evidentuar në raport ka qenë edhe mosdhënia e kompensimit financiar për shpenzimet e energjisë elektrike për familjet me ndihmë ekonomike, çka automatikisht ka ulur të ardhurat e tyre dhe përkeqësuar edhe më tej, kushtet e jetesës.

Kjo situatë ka shtuar ndjeshëm ankesat e depozituara pranë Avokatit të Popullit, që në 2018-ën arritën në 80 nga 36 të tilla, një vit më parë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN