Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Raporti i BSH: COVID-19 rrezik për ekonominë. Do të prekë familjet dhe konsumin

Nga A2 CNN
15 Prill 2020, 12:53 | Ekonomi
Raporti i BSH: COVID-19 rrezik për ekonominë. Do të prekë

Kriza e koronavirusit do të godasë ekonominë e familjeve shqiptare, duke ulur konsumin dhe duke shkaktuar vështirësi në shlyerjen e pagesave dhe kredive. Në këtë përfundim ka arritur Banka e Shqipërisë, e cila në Raportin e Stabilitetit Financiar ka analizuar ndikimin e deritanishëm të emergjencës shëndetësore të COVID-19 në ekonominë tonë.

Institucioni mbikëqyrës bankar argumenton se efektet do të ndihen në një reaksion zinxhir nga biznesi tek të punësuarit e më pas tek sjellja e tyre në treg dhe ndaj palëve të treta.

“Kjo situatë do të ndikojë edhe mbi punëmarrësit dhe në tërësi mbi të ardhurat e familjeve, pasi rënia e aktivitetit të ndërmarrjeve mund të sjellë reduktim të të ardhurave apo ndërprerje të pagës. Në një efekt zinxhir dhe për aq sa nuk kompensohet nga kursimet e familjeve dhe masat shtetërore mbrojtëse, kjo edhe më tej mund të ndikojë në dobësimin e konsumit të tyre dhe në vijim, edhe në vështirësi për të përmbushur detyrimet financiare. Këto të fundit, mund të përfshijnë edhe vështirësi në shlyerjen e kredive të marra në institucionet financiare, duke sjellë rënie të cilësisë së kredisë në këto institucione dhe ndikim negativ në rezultatin financiar”, theksohet në raportin e Bankës Qendrore.

Institucioni mbikëqyrës bankar ka evidentuar masat e marra deri më tani dhe ka kërkuar reagimin e qeverisë dhe sistemin bankar për të përballuar të papriturat që kjo situatë mund të sjellë. “Përballja me një situatë të tillë përmban të panjohura, të cilat kanë nevojë të kapen në mënyrë të përshtatshme nga modelet aktuale të vlerësimit të kapaciteteve të sistemit financiar dhe të sektorit bankar”, evidentohet në raport. Sipas Bankës së Shqipërisë, sistemi bankar duhet të vlerësojë goditjet eventuale, jo vetëm në afatshkurtër, por edhe në një afat më të gjatë. Gjithashtu, nevojitet që të përmirësohet më tej gjendja e rezervave të kapitalit dhe të likuiditeti, për t’i paraprirë çdo lloj situate.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu