Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Reagimet për qeverinë e re, përgëzime kombëtare e ndërkombëtare për Hotin

Nga A2 CNN
3 Qershor 2020, 16:35 | Kosova
Reagimet për qeverinë e re, përgëzime kombëtare e

Përgëzime të shumta erdhën për qeverinë e re të kryeministrit Avdullah Hoti në Kosovë. Presidenti Hashim Thaçi me anë të një postimi në Facebook tha se kjo është një ditë e rëndësishme për demokracinë e vendit dhe qytetarët.

“Qeverisë së re i uroj sukses në përmbushjen e programit qeverisës dhe i ofroj bashkëpunim të plotë në jetësimin e agjendës kombëtare dhe ndërkombëtare”, shkruan kreu i shtetit.

Ndërsa Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, pjesë e koalicionit me LDK, tha pas votimit se kjo qeveri do të kthejë normalitetin, stabilitetin dhe urtësinë që bashkon Kosovën. Gjithashtu nënvizoi se tani duhet punuar për tejkalimin e krizës të shkaktuar nga Covid-19 dhe për riparimin e marrëdhënieve me aleatët e Kosovës.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh pas seancës se qeveria Hoti ka mundësi që ta përfundojë mandatin e plotë në drejtim të vendit. 

Një reagim zyrtar për zhvillimet në Prishtinë pati dhe Bashkimi Europian. Me anë të një deklarate të përbashkët, Shefi i Diplomacisë, Borrell dhe eurokomisioneri për zgjerimin, Oliver Varhelyi theksuan mbështetjen për qeverinë e re dhe kërkuan rifillimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit të ndërmjetësuar nga BE.

Ndërkohë, edhe ambasada amerikane në Kosovë ka përgëzuar kryeministrin e ri dhe i ofron bashkëpunim në punën për paqe, drejtësi dhe prosperitet. Gjithashtu mbështet fuqizimin e marrëdhënieve rajonale dhe luftën kundër Covid-19.

Edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell shpreh përgëzimet e tij për qeverinë e re dhe kërkon rikthimin në bisedime.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani