Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Receta për një ekosistem inovativ

Nga A2 CNN
7 Dhjetor 2022, 11:11 | Ekonomi
Receta për një ekosistem inovativ

Shqipëria, ashtu si shumë vende të Ballkanit Perëndimor, po e shohin industrinë e teknologjisë së informacionit si sektorin më shpresëdhënës për të ardhmen. Përmes hapave të vegjël, gradualisht në vend po krijohen më shumë startupe, të mbështetur që nga ideja e deri tek dalja në treg e përtej, edhe përmes granteve të shtetit.

Me disa raste të mira suksesi, kjo në formën e aplikacioneve, uebfaqeve, lojërave, apo risive të tjera teknologjike, Shqipëria, ashtu sikurse rajoni, nuk po arrin ende të prodhojë kompaninë e parë me vlerë mbi 1 miliard euro. Një gur kilometrik që do të sillte një transformim të mënyrës se si perceptohen startup-et.

ICT Hub, një fond investimi dhe program mbështetjeje nga Serbia, mendon se pengesa mund të qëndrojë te fakti se secili shtet ka funksionuar brenda një tregu të kufizuar, ndërsa përpjekjet kanë qenë shumë të përhapura.

Në një takim në Tiranë, me aktorë kryesorë të rrjetit të startup-eve në Shqipëri dhe Kosovë, përfaqësuesit e ICT Hub prezantuan fondin e ri prej 50 milionë eurosh për investime në startupe të rajonit dhe kërkuan ngritjen e një ekosistemi të mirëfilltë bashkëpunues.

Prej vitit 2018, në Serbi sektori i teknologjisë së informacionit kontribuon më shumë në ekonomi se sa bujqësia. Por sektori është i orientuar në shërbim të kompanive të huaja. Për këtë arsye, sipas përfaqësuesve të ICT Hub, rajoni duhet të fillojë të shesë jo më mallra dhe krah të lirë pune, por produkte origjinale. Dhe kjo mund të bëhet me anë të startupeve. Sipas kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Eduard Shalsi, interesi i lartë i shfaqur për këtë sektor kohët e fundit, tregon se po nis një fazë e re zhvillimi.

Sektori i teknologjisë së informacionit shihet si mundësia më e mirë për të frenuar emigracionin e të rinjve, një problem për të gjithë rajonin. Potenciali i madh vlerësohet edhe nga qeveria që shprehet e gatshme të ndihmojë, por thekson se nevojitet bashkëpunim nga të gjithë aktorët.

Gjatë takimit ICT Hub prezantoi edhe një studim të bërë për startup-et në rajon, ku shprehet se sektorët që kanë potencialin më të madh për t’ia dalë janë ato në teknologjitë e reja në bujqësi, risitë në sektorin shëndetësor, kompanitë e videolojërave dhe zhvillimin e teknologjive blockchain.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani