Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Reforma Zgjedhore, Basha e thotë prerë: S' ka më bisedë në një tryezë me Ramën

Nga A2 CNN
11 Janar 2020, 17:23 | Politikë
Reforma Zgjedhore, Basha e thotë prerë: S' ka më bisedë

Nuk do të ketë takim me Edi Ramën, deklaroi Lulzim Basha para gazetarëve, ndërsa bëri thirrje për Reformë Zgjedhore pa vonesë dhe për qeveri tranzitore për zgjedhje të parakohshme. Për çështjen e sistemit zgjedhor, tha se gabohen ata që mendojnë se kreu i opozitës ka ndryshuar qëndrim. ''PD ka fituar me çdo sistem'', tha ai, por pa u ndarë politika nga krimi, asnjë sistem nuk ka vlerë. 

“Asgjë nuk ka ndryshuar. Asnjë presje, asnjë pikë, asnjë qëndrim nuk ka ndryshuar”. 

I gjendur nën akuzë se po mbështet Edi Ramën, duke mos e konsideruar ndryshimin e sistemit zgjedhor të një rëndësie prioritare, Lulzim Basha theksoi edhe një herë idenë e tij mbi Reformën Zgjedhore dhe çështjen e sistemit: “Unë personalisht preferoj mazhoritarin e pastër. Nuk kam absolutisht asnjë problem me sistemin e listave të hapura apo listave kombëtare. Ta zgjedhin shqiptarët çfarë sistemi të duan. Po të dojë, le ta zgjedhë edhe vetë Edi Rama”.

Pas kësaj vjen gjithmonë një “por” nga demokratët, duke i lexuar prioritetet e tyre në rekomandimet e OSBE-ODIHR-it: “Por, të mos kenë asnjë iluzion që çdo sistem do të bjerë dhe do të jetë një zhgënjim edhe më i madh, pa e ndarë politikën nga krimi, pa larguar paratë e pista, pa ndëshkuar krimet elektorale”.

Teksa ritheksoi preferencën e tij për sistemin, ndryshimin e tij nuk e përjashton, por nëse të tjerët do të zgjedhin ta ndryshojnë: “PD ka fituar me mazhoritar të pastër, ka fituar me mazhoritar me korrektim proporcional, ka fituar me proporcional, nuk është problemi i sistemit. Problemi është nëse zgjedhjet e ardhshme do të jenë zgjedhje ku do të vendosin shqiptarët apo zgjedhje ku do të vendosë prapë krimi i organizuar”.

Katër kryebashkiakët e 30 qershorit, të identifikuar nga PD me rekorde kriminale, i sjell si argument: “Çfarë sistemi do ta zgjidhë këtë? Problem sistemi është ky?” 

Teksa këmbëngul për përfundim të Reformës Zgjedhore në zbatim të kushteve të Bundestagut, Basha zeron mundësinë e takimit me Edi Ramën, duke theksuar nevojen e gjithëpërfshirjes: “Nuk ka për të ndodhur diçka e tillë. Ky nuk mund të jetë një proces tavolinash të mbyllura e dhomash të errëta. Miti i uljes së kryetarit të opozitës me kryeministrin zgjidh gjithçka, ka rënë. U provua dhe çfarë ndodhi? Unë iu përmbajtja marrëveshjes së 17 majit, ndërsa Edi Rama vodhi vota më shumë se kurrë më parë”. 

Në këtë drejtim edhe SPAK detyrat i ka të qarta sipas kreut të PD-së: “Shitblerjen e votave, koncesionet korruptive të kësaj qeverie… Këto janë testi i madh i vërtetë, nëse kemi apo nuk kemi SPAK të vërtetë”.

PD kërkon zgjedhje të parakohshme vendore dhe parlamentare përmes një qeverie dhe një kryeministri kujdestar të zjedhjeve të lira dhe të ndershme: “Dhe nuk e kam shpikur! Është ajo që po zbatohet sot në Maqedoni”.

Krahas Reformës Zgjedhore, Basha deklaroi se në vijim PD do të shpalosë atë që e quan programin ekonomik më mbicioz në 30 vite. Ai thesoi se ekonomia e vendit ka rënë në greminë dhe tërmeti i 26 nëntorit zbuloi inekzistencën e shtetit: “Është lakuriq. Nuk kemi një bilanc të dëmeve të tërmetit. I shemburi më i madh i 26 nëntorit, është shteti i Edi Ramës”. 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani