Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Reforma Zgjedhore, Krasniqi: Palët ishin dakord në refuzimin e faktorit ndërkombëtar

Nga A2 CNN
1 Qershor 2020, 12:26 | Politikë
Reforma Zgjedhore, Krasniqi: Palët ishin dakord në refuzimin e

Afati për marrëveshje të palëve për reformën zgjedhore përfundoi dje, pa një marrëveshje, por me dyert e hapura për dialog të mëtejshëm.

Për analistin e A2 dhe kreun e Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, në qoftë se ditën e djeshme ka pasur një element të përbashkët mes palëve,  ka qenë “qetësia me të cilën po refuzonin faktorin ndërkombëtar”. Kjo pasi në ditët e kaluar ambasadorja amerikane Yuri Kim kishte dhënë vlerësime ngazëlluese për anëtarët e Këshillit Politik për reformën Zgjedhore, duke i lavdëruar individualisht.  

Për Krasniqin, “faktet e djeshme treguan se ambasadorja kishte gabuar në këtë vlerësim dhe kur ndërkombëtarët gabojnë, imagjinoni sa të zhgënjyer janë qytetarët”. Sipas tij, tashmë faktori ndërkombëtar duhet të ndërrojë qasje ndaj partive dhe Këshillit Politik, mos të merret me teknikalitete dhe të mbajë anën e qytetarëve, sepse “çdo devijim vetëm dobëson mesazhin e tyre dhe krijon idenë që këto janë të paprekshëm dhe ndërkombëtarët shkojnë me më të fortin”.

Për sa i përket palëve politike, Krasniqi vlerëson se në përgjithësi nuk kanë interes për ndryshim të kodit zgjedhor, madje kanë interes të thellë që mos ta ndryshojnë. Nuk janë të përgatitur edhe në strukturat e tyre. Partia Socialiste zgjedhjet e fundit i ka kryer në 2009, PD ka bërë zgjedhje fiktive, partitë e tjera nuk ekzistojnë në pjesën e organizimit. Kështu që çdo vendimmarrje që hap garën elektorale krijon probleme në partitë”.

Në detaj, opozita ka problematikat në raport me aleatët politikë “që kërkojnë ndryshime të tjera nga ata që po diskutohen në tavolinë, ndërkohë e mazhoranca është e interesuar të mos ndryshojë asgjë. Palët po krijojnë teknikalitete për këtë arsye, dje janë hedhur propozime të reja në minutat e fundit, që të gjithë e dinin që nuk do të pranoheshin”.

Gjithsesi, për analistin, teknikalitetet janë paradhomë e diskutimeve politike. “Afatin e kanë caktuar vetë palët, nuk i vendos para përgjegjësisë,  ka qenë një skemë e lojës. Palët arritën kërkesat maksimale, dhe tani do të fillojnë deklaratat politike. Nuk do të kemi fillimisht progres, dhe më pas do fillojnë sërish diskutimet në tryezë. Këto janë skemat e njëjta që kemi parë në çdo komision”.

Gjithsesi, për të, asnjë nga elementët e diskutuara dje prodhon ndryshim për qytetarët, më shumë konkurrencë ose transparencë të procesit, sepse palët janë përqendruar në mekanizmat mbrojtëse të një pale ndaj tjetrës, dhe jo në mekanizmat mbrojtëse për qytetarët.  

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani