Reforma zgjedhore, opozita refuzon ftesën e socialistëve në komision

Komisioni për Reformën Zgjedhore u mblodh për herë të parë që prej largimit të PD dhe LSI nga Parlamenti dhe zëvendësimi i tyre me deputetë të rinj nga listat përkatëse. Pavarësisht se opozita jashtë-parlamentare refuzoi ftesën për të qenë vëzhgues me të drejtë vetoje, mazhoranca ja la të hapur derën.

Bashkëkryetarja tjetër e komisionit, Rudina Hajdari, bëri të qartë se opozita parlamentare nuk heq dorë nga ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Pjesë e mbledhjes ishin edhe ambasadorët e huaj, nga ajo amerikane te përfaqësuesja e Berlinit.

“Mirëpresim faktin që puna për reformën zgjedhore po vazhdon, pavarësisht faktit se e ashtuquajtura opozita e vjetër u largua nga Parlamenti. Ne besojmë se reforma zgjedhore, dhe në veçanti zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR, mbeten detyra të rëndësishme dhe ju e dini që kjo është mjaft e rëndësishme edhe për vendimin e Këshillit Europian në qershor. Pa zvogëluar rolin e opozitës së re, dua të them se është për të ardhur keq që PD dhe LSI nuk e kanë pranuar ftesën tuaj për t’u bërë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm”, u shpreh Susanne Schütz.

Ambasadori i OSBE garantoi se ndihma nuk do të mungojë, por sugjerime nuk do të ketë.

“Për sa i përket rishikimit të sistemit zgjedhor ne do të jemi në gjendje të mbështesim punën e komisionit dhe gjithashtu nuk do të ketë rekomandime nga OSBE cili do të ishte sistemi më i mirë për vendin tuaj pasi këtë duhet ta zgjidhni vetë, por ne kemi një përvojë të akumuluar për secilin sistemin që ju do të zgjidhni”, tha Bernd Borchardt.

Komisioni synon të miratojë brenda majit rekomandimet e OSBE/ODIHR, brenda të shtatorit çështjen e teknologjisë, në tetor parashikohet të trajtohet financimi i partive politike, ndërsa në nëntor sistemi zgjedhor.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN