Reforma zgjedhore, “të rinjtë” gati ta votojnë

Tradita shumëvjeçare, ku kodi zgjedhor miratohet me konsensusin e pozitës dhe opozitës, do të respektohet edhe këtë vit.

Pas dorëheqjes së anëtarëve të PD-së e LSI-së nga komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore, vendi i tyre nuk mbetet bosh.

“Duhet të konsultohem, por për diçka që do të jetë e mirë për vendin tim, pse jo?” thotë deputeti “i ri” Ylli Shehu.

OSBE ka zhvilluar disa takime gjatë kësaj të mërkure , për të konkretizuar ndryshimet në ligjin elektoral, duke takuar disa eksponentë të mazhorancës.

“Jemi ende në kohë për të pasur një dakordësi për sa i përket reformës elektorale. Ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë, i takon kolegëve të opozitës të vinë e ta votojnë”, thotë Blerina Gjylameti e PS-së.

Por sa kompetentë janë deputetët e rinj, për të marrë përsipër hartimin dhe votimin e rregullave të zgjedhjeve?

“Nuk kam të drejtë të paragjykoj, kushdo qoftë, se nuk mund të paragjykoj as ata që ishin më parë. Besoj se forcat politike kur ka një komision bipartisan i kanë kapacitetet e nevojshme për të arritur një reformë zgjedhore të pranueshme dhe me rregulla loje të sakta”, pohon “veterani” Bashkim Fino.

Në seancën e 13 marsit, numri i deputeteve të opozitës së re pritet të jetë më I madh. Çka përkthehet më shumë mundësi zgjedhjeje për komisionin e reformës zgjedhore.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN