Reformë apo konsolidim i kryetarit Basha? Lumezi: Ndoshta nuk di ta bëj ketë profesion

Të ftuarit në Absolut 4 u treguan të ashpër ndaj vendimmarrjes politike të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit dhe me ato të brendshme që i besuan lidershipin atij.
Sipas Rezearta Çaushajt, të Exit.al, “propozimet e reja të Bashës thjesht krijojnë hapësira që ai të shtrëngojë radhët në institucionet partiake me mbështetës të tij. Fushata u dominua tërësisht nga figura e Bashës, ndërkohë që në raport situata ishe copëzuar, dhe vetëm figura e kryetarit nuk dilte”.
Për gazetaren e ftuar në Absolut 4, “është shumë e vështirë të flasësh për demokraci partie që kur kjo parti është vetëm satelit i kryetarit të partisë Në momentin që i gjithë debati nuk përqendrohet në parime politike, detajet teknike nuk kanë asnjë lloje valence dhe nuk pres asnjë ndryshim”.
I të njëjtit mendim zv kryeredaktori i gazetës Panorama, Aristir Lumezi, i cili thotë se “kryetari i partisë i jep profilin e tij partisë. Në momentin që zoti Basha nuk dha dorëheqjen, nuk mund të presim nga kryesia ta japë. Po të kishte ndodhur e kundërta, do kishte sens që t’i jepej një strukturë të re partisë”.
Sipas tij, “defekti i politikanëve tonë është se kanë marrë disa përgjegjësi që nuk dinë t’i bëjnë. Ndoshta është edhe rasti i zotit Basha, që pas humbjeve të njëpasnjëshme po tregon që ndoshta e ka të vështirë ta bëj këtë profesion, duke çuar PD-në në rrugën e fitores në zgjedhjet e radhës”.