Rekord rastesh me koronavirus, OBSH: Tetori dhe Nëntori, muaj të vështirë për Europën

Rekord rastesh të reja me koronavirus në botë. Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi se 307 mijë 930 persona të tjerë ishin infektuar me Covid-19, shifra më e lartë ditore e regjistruar deri më tani.
U shënuan gjithashtu 5500 vdekje në 24 orë, duke e çuar totalin në mbi 817 mijë. Rritja më e lartë e rasteve raportohet në 3 vende, India, Shtetet e Bashkuara dhe Brazil. Në gjithë globin deri më tani janë regjistruar 28.6 milionë te prekur me koronavirus, shumica e të cilave në kontinentin amerikan.
Lajmi vjen ndërsa një zyrtar i OBSH paralajmëroi se Europa me shumë gjasë do të ketë rritje të viktimave ditore gjatë muajve tetor dhe nëntor.
“Situata do të bëhet edhe më e vështirë. Në muajt tetor dhe nëntor do të shohim një nivel më të lartë vdekshmërie”, deklaroi Hans Kluge, drejtor i OBSH për Europën.
Eksperti i OBSH drejtoi gjithashtu një mesazh atyre që mendojnë se fundi i pandemisë do të vijë me krijimin e vaksinës. “Është e sigurt që jo”, tha Kluge sipas të cilit nuk ka siguri nëse vaksina do të jetë efikase për të gjithë popullsinë. Ka sinjale pohon ai, se vaksina do të bëjë efekt për grupe të caktuara e jo për të tjera.
Rastet me koronavirus po rriten me ritme alarmante në shtetet europiane gjatë javëve të fundit. Franca dhe Spanja po raportojnë shifrat më të larta, e të dyja i kaluan 10 mijë infektimet ditën e shtunë. Megjithatë në 24 orët e fundit, Franca raportoi rreth 7 mijë raste, duke shënuar rënie krahasuar me një ditë më herët.