Rëndohet bilanci, foshnja e porsalindur diagnostikohet me koronavirus

Koronavirusi nuk po kursen askënd. Një foshnje i porsalindur në Kinë është diagnostikuar me virusin vdekjeprurës vetëm 30 orë pasi erdhi në jetë, duke u bërë pacienti më i ri në moshë i regjistruar deri më tani.

Rasti është konfirmuar nga media publike kineze Xinhua. Foshnja erdhi në jetë më 2 shkurt në Wuhan, qytet i cili është dhe epiqendër e koronavirusit. Mamaja e foshnjës rezultoi pozitive përpara lindjes. Mjekët e kanë të vështirë të tregojnë se si ky virus është transmetuar, në barkun e nënës apo pas lindjes.

Megjithatë gjendja e tij është e qëndrueshme dhe ndodhet nën vëzhgimin e mjekëve. Vetëm pak fëmijë janë prekur nga koronavirusi, i cili ka shkaktuar mbi 560 të vdekur dhe mbi 28 mijë të infektuar. Ndërkohë Pekini ka prezantuar një notë proteste zyrtare për të gjithë ato shtete që kanë pezulluar lidhjet ajrore me Kinën për shkak të frikës së përhapjes së virusit vdekjeprurës.

“Administrata e Aviacionit Civil ka qenë në komunikim me aviacionin e shteteve të tjera dhe u kemi dërguar në total 70 letra. Kina ka ndërmarrë masat e nevojshme dhe efektive për parandalimin e sëmundjes”, deklaroi Yu Biao, drejtor i Aviacionit Civil të Kinës.