Rikthehet debati politik, luftë kundër kanabisit apo legalizim të tij?

Koço Kokëdhima ishte i pari ndër politikanët që kërkoi legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, kur ishte ende deputet.
Deklaratat e ish-socialistit që atëherë e quanin “pashai i Jugut”, nuk gjeten mbështetje as në partinë e tij, ku shpejt u gjend me shpatulla pas muri, e për pak kohë, edhe jashtë derës.
Viti pasardhës 2016, si për ironi, solli bollëk të madh në të korra dhe parcelat u mbushen me kanabis, aq sa Shqipëria u shënua në hartën e shpërndarjes se marijuanës në të gjithë Europën.
Disa ministra të Brendshëm më pas, vendi duket sikur e zgjidhi problemin me kanabisin ilegal, por Sali Berisha paralajmëroi në A2 CNN, vetëm një javë më parë, për një tjetër rikthim të bujshëm.
“Ky do të jetë viti kulmor i kanabisit.”, tha ish-kryeministri.
Shqetësimin e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm Olsian Çela, institucioni të cilin duket se ka dijeni për kultivimin në rritje të kanabisit, që prej vitit të kaluar.
Rama duket se i ka harruar planet për të pleqëruar në Vuno me Kokëdhimën, por jo idetë e tij. Krah për krah me ambasadorin e BE, Luigi Soreca, në Ditën e Europës, paralajmëroi se drafti për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, kishte mbi një vit që po punohej me konsulencë ndërkombëtare.
Ambasadori Luigi Soreca, aty për aty nuk bëri asnjë reagim. Pak më vonë, zyra e delegacionit të BE në Shqipëri reagoi ne Twitter duke distancuar veten: ”Pas kërkesave të disa mediave, ne duam të sqarojmë se Komisioni Evropian dhe Delegacioni i BE nuk kanë qenë të përfshirën në përgatitjen, hartimin ose konsultimin e draft raporteve në lidhje me planet për kultivimin dhe legalizimin e kanabisit në Shqipëri për qëllime mjekësore”.
Ende pa mbyllur gjendjen e jashtëzakonshme, qeveria duket se po hap një tjetër front në politike. Ndryshe nga i padukshmi COVID-19, ish-armiku i dallueshëm jeshil, mund të kthehet në aleat, njohje e vjetër, quhet kanabis!