Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

Rikthehet Kapri blu

Nga A2 CNN
15 Maj 2021, 11:34 | Bota
Rikthehet Kapri blu

Bregdeti joshës, peshqit e ujërat e kristaltë, hotelet me 5 yje dhe ushqimi fantastik, nuk do të mjaftojnë këtë vit për të tërhequr turistët në ishullin mesdhetar të Kaprit.

Pasaportat e vaksinës, skema digjitale e BE dhe një marrëveshje mes vendeve të BE, janë të gjitha pyetje për të cilat çdo banor i Kaprit pret të marrë përgjigje, pasi ato do të bëjnë diferencën për udhëtimet ndërkombëtare, rrjedhimisht edhe për bizneset lokale. 

57-vjeçari Vincenzo Iaccarino i ka shëtitur turistët nëpër ishujt e Kaprit për 33 vjet, përmes varkave të tij, punë të cilën më herët e bënte babai i tij. Por, për 2020, ai pa për herë të parë thesarin e tij, varkën, bosh, pa turistë. 

Një ditë pranvere prillin e shkuar, Vincenzo i mbetur vetëm, vendosi që shpellën ta vizitojë vetë e ta shijojë, duke i bërë një guidë turistike vetes: “Kemi patur mundësi ta shijojmë ishullin për veten tonë sepse zakonisht për ne banorët, kryesisht gjatë muajve të verës, është shumë e vështirë të pushojmë. Ne punojmë dhe nuk e shijojmë verën ashtu si do donim. Me pandeminë, kemi patur mundësi të shëtisim dhe të vizitojmë vendet e bukura, siç bënim kur ishim fëmijë. Kuptuam që bregdeti ynë është i bukur edhe pa varka. E kishim harruar. Është një ishull i bukur, por ne kishim kohë pa e parë”.

Përpara Covid-19, me varkat e tij, 57-vjeçari shëtiste çdo ditë 1800-2000 turistë të huaj, në atraksionet më të famshme të ishullit. E teksa shijon relaksin dhe qetësinë në shpellën 60 metra të lartë, rrethuar nga uji blu, Vincenzo kujtohet se mungesa e turistëve do të thotë asnjë kacidhe në xhep: “Ne kemi përjetuar një rënie me 70-80% të të ardhurave nga puna me varka sepse nuk ka turistë. Shpresojmë që ky vit të jetë më i mirë. Jam optimist dhe shpresëplotë, shpresoj që gjithçka të funksionojë. Një vit tjetër si ky që kaluam, do të na godiste rëndë”.

Në një ditë normale vere, 20-25 varka me turistë nisen drejt shpellës, me britma gëzimi, zhurmat e aparatëve fotografikë në përpjekje për të realizuar foton perfekte në 5 minuta kohë që i lejohet të rrinë brenda shpellës.

Shpella u mbyll që prej tetorit të vitit të shkuar dhe pronarët e bizneseve lokale, si vetë 57-vjeçari Vincenzo, janë skeptikë nëse turizmi do të kthehet atje ku ishte vite më parë. Në ishullin piktoresk 11 km katror, që shtrihet në gjirin e Napolit në jug të Italisë, jetojnë vetëm 14 mijë banorë të përhershëm. Kapri merr frymë dhe jeton vetëm falë turizmit. Përpara pandemisë, ishulli vizitohej nga më shumë se 3 milionë turistë të huaj. 

Gjatë 2020-s, numri i turistëve ra me 68%, sipas të dhënave zyrtare, me vizitorët amerikanë që sot kujtohen si kohëra shumë të largëta. Sot, ishulli është ende i boshatisur, me varkat e lidhura në mol, me shpresën që shumë shpejt do të mbërrijnë të rinjtë, që do të mbushin Instagramin me fotot e godinave luksoze e shumëngjyrëshe, të shtrira përgjatë malit deri në bregdetin e kristaltë. 

Ashtu si Vincenzo, edhe biznesmenë të tjerë vendas thonë se nuk mund t’i mbijetojnë një tjetër viti si ai që shkoi. Ish-marinsi, Gennarino Alberino, sot 86 vjeç, njihet si njeriu legjendë i ishullit pasi në vitet ’50 zbuloi statujat romake në fund të “Blue Grotto”. Sot ai drejton kompaninë që zotëron 35 varka tradicionale druri për shëtitje turistike, që janë përdorur nga peshkatarët e Kaprit ndër shekuj. Sot këto varka qëndrojnë në vend, pa turistë, prej muajsh: “Ne banorët e Kaprit vëzhgojmë natyrën. Çfarë mbledhim në verë, na shërbejnë për të ngrënë në dimër. Gjatë muajve të verës punojmë dhe në dimër rrimë. Nëse vera është e mirë, atëherë kemi mundësi të bëjmë edhe ndonjë ditë pushim”.

Edhe në Kapri, ashtu si pjesa tjetër e Italisë, procesi i vaksinimit po ecën me ritme të kënaqshme. Kryebashkiaku Marino Lembo thotë se autoritetet planifikojnë të vaksinojnë edhe punonjës nga Napoli e rrethinat përqark, që do të ndihmojnë gjatë sezonit veror: “Jemi optimist, bota ka ndryshuar dhe kemi parë shumë gjëra negative të ndodhin. Besoj se situata do të ndryshojë gradualisht, sipas rregullave. Jam i sigurtë se gjërat do të shkojnë në vendin e vet dhe ne të ofrojmë një tjetër lloj turizmi, ndoshta më të qetë dhe më pak të populluar se më parë”.

Kapri ka qënë një nga ishujt më të frekuentuar turistik, që nga periudha romane, kur perandori Tiberius e quante vendin e preferuar për të pushuar, ishullin që sot është shndërruar në një nga destinacionet më të frekuentuara nga vipat dhe miliarderët e botës.

Përveç bareve e restoranteve apo klubeve të plazhit me emër, në ishull rruga më e famshme është ajo e “brand”-eve ndërkombëtare, me dyqanet e Dior apo Gucci dhe jo dyqanet e suvenireve. 

Një nga hotelet më të famshme me 5 yje në ishull është “Punta Tragara”, një ndërtesë me ngjyrë, pozicionuar mbi bregdet, me pamje mahnitëse, ngritur mbi gurët Faraglioni. Përpara se të hapej si hotel në vitin 1974, ndërtesa ka shërbyer si vilë, ku kanë qëndruar Dwight Eisenhower dhe Winston Churchill, gjatë Luftës së Dytë Botërore: “Jemi mësuar të rihapemi sepse ne jemi biznes sezonal, ndaj vështirësitë, problemet, shqetësimet, kanë qënë gjithnjë pjesë e jetës sonë. Por nga një vit më parë, ajo cka ndryshon këtë vit është se jemi më pranë normalitetit. Sigurisht që ka shumë paqartësi rreth sezonit veror apo të asaj cka vera mund të sjellë. Por mund të ndjej një frymë positive, frymë rimëkëmbje. Shpresoj që bizeset e ishullit të rihapen dalëngadalë”.

Brenda hotelit, shkallët janë veshur për të mos u bërë pis, pishina është bosh, karriget e tavolinat në bar dhe restorant janë po ashtu të mbuluara. Në një kohë normale, larg pandemisë, hoteli do të ishte hapur që prej muajit tetor dhe kjo do të ishte periudha më e zënë e tij: “Mendoj se ishulli i Kaprit do të përjetojë një verë të qetë. Dua të them, ka një botë të tërë që do të vizitojë Kaprin e që nuk kanë rreshtur së menduari për të e që kanë shumë dëshirë që të vijnë këtu për pushime”.

Gjatë pikut të sezonit, nga 1 qershori deri në fund të shtatorit, çmimi i dhomës nis nga 950 euro në natë deri në 7 mijë euro një suitë. Por, çmimet kanë rënë ndjeshëm nga një vit më parë. Gjatë të gjithë sezonit veror, hoteli është 95% i rezervuar, muaj më parë. Vjet, u rezervua vetëm 60% e dhomave, 45% prej të cilave nga turistët amerikanë, më pas britanikë e gjermanë: “Pandemia ka lënë shenjën e saj, që ne, banorët e Kaprit, shpresojmë ta shërojmë sa më shpejt. Shpresoj të jemi gati për një rikthim të fuqishëm të Kaprit”.

Kapri blu po rikthehet, thonë vendasit…

A2 CNN Livestream

Dita jonë