Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Rikthehet Këshilli Politik, Kaso: Ndryshimet kushtetuese, llogari elektorale e Ramës. Koalicionet s’janë shqetësimi ynë

Nga A2 CNN
20 Korrik 2020, 20:08 | Politikë
Rikthehet Këshilli Politik, Kaso: Ndryshimet kushtetuese, llogari

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, ishte i ftuar në A2 nga ku foli për zhvillimet e fundit politike në vend dhe konkretisht për takimin e mbajtur këtë të hënë të Këshillit Politik, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.

Kaso thekson se marrëveshja e 5 qershorit nuk është lëshim në favor të opozitës jashtë parlamentit, ndërsa shton se ndryshimet kushtetuese janë vetëm llogari elektorale të Edi Ramës.

“Ne kemi miratuar një marrëveshje më 5 qershor dhe ka pasur një dakordësi politike dhe drafti është përcjellë për miratim në kuvend, por ende nuk kemi një datë. Ndryshimet e njëanshme të propozuara, bien ndesh jo vetëm me draftin e 5 qershorit, por edhe mbi një sërë dispozitash aktuale të Kodit Zgjedhor. Praktikisht, ndryshon i gjithë Kodi Zgjedhor dhe i vihen minat konsensusit të 5 qershorit. Kryeministri duhet të ilustrojë se çfarë përfitoi opozita për veten e saj nga marrëveshja e 5 qershorit. Rama përpiqet ta shesë këtë marrëveshje sikur ishte lëshim i mazhorancës ndaj opozitës. Nëse shohim draftin ligjor, nuk ka asnjë kërkesë të vetme që shkon në dobi elektorale të opozitës.

Kryeministri duhet të pranojë se ndryshimet kushtetuese të propozuara nga opozita parlamentare janë një llogari e pastër elektorale e tij dhe të lërë mënjanë retorikën me pseudo hapje listash, pasi shqiptarët e kanë të qartë se me këtë formulë listat mbeten të mbyllura”, u shpreh Ivi Kaso.

Për Ivi Kason, heqja e koalicioneve nuk është një shqetësim për opozitën jashtë parlamentit.

“Ndryshimi ishte i beftë edhe për ne. Sondazhet e japin kryeministrin humbës në çfarëdo lloj formatimi. Rama sheh që e ka të pamundur të garojë me kushte të përcaktuara qartë me opozitën e bashkuar nga ana tjetër. I vetmi synim është të bëjë diversion. Pavarësisht kjo llogari e ngushtë elektorale ka për t’i ecur ose jo, kryeministri të rrijë i qetë pasi rotacionin askush nuk mund ta pengojë dhe opozita e bashkuar, me apo pa koalicione, do të jetë forca qeverisëse pas zgjedhjeve të ardhshme”, u shpreh në A2 Ivi Kaso.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani