Reforma zgjedhore rikthehet në agjendën e politikës shqiptare, në një moment kur shihet si bosht i zgjidhjes së krizës politike në vend, ndërsa Europa e ka caktuar si një gur kilometrik në rrugën e integrimit.
Misioni i OSBE është bashkënismëtar me Komisionin e Posaçëm për reformën zgjedhore, për një tryezë të gjerë diskutimi mbi sistemin zgjedhor. Ftesa për konferencën e 25 tetorit, që mban firmën edhe të dy bashkëkryetarëve, demokrates Rudina Hajdari dhe socialistit Damin Gjiknuri i është dërguar edhe PD.
Por sa janë shanset që kjo tryezë të ndihmojë në zgjidhjen e krizës? Lulzim Basha zgjodhi të marrë kohë për të ndare vendimin nëse PD do ulet ose jo me mazhorancës. Por paraprakisht i dërgoi mesazhin, që mos e quaje të mbaruar krizën, edhe nëse kjo ndodh.
Pak orë pas ftesës së OSBE, Lulzim Basha dhe opozita e bashkuar morën një ftesë të dytë, këtë herë nga Kryeministri Edi Rama. Ai shprehet i gatshëm të takohet kudo, pakushte, për të diskutuar reformën zgjedhore.
Ndryshimi i sistemit zgjedhor, është një nga çështjet më të nxehta me të cilat pritet të përballet komisioni i reformës zgjedhore. Veç partive aleate të PD, kërkesën për ndryshimin e sistemit e ka edhe Bindja Demokratike.
Reforma Zgjedhore është kthyer në një nga detyrat kryesore që po i kërkohet të realizojë Shqipëria, jo vetëm nga Brukseli pore dhe nga SHBA, që folën përmes zyrtarit të DASH David Kostelancik, i cili i la afat politikes deri në fund të vitit për ta finalizuar.