Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Rimëkëmbja pas pandemisë, INSTAT: Ekonomia u rrit me 5.5% këtë fillimvit

Nga A2 CNN
29 Qershor 2021, 14:16 | Ekonomi
Rimëkëmbja pas pandemisë, INSTAT: Ekonomia u rrit me 5.5%

Ekonomia shqiptare u rrit me 5.53% për tremujorin e parë të vitit, në linjë me parashikimet e qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare.

Janar-marsi i vitit të kaluar përkon me periudhën kur pandemia sapo kishte nisur dhe pjesa më e madhe e shteteve, përfshirë Shqipërinë nisën masat kufizuese, duke paralizuar tregtinë botërore. Ndaj një rritje në fillim të 2021-it ishte e pritshme, duke pasur parasysh bazën e krahasimit.

Industria nxjerrëse dhe prodhimi i energjisë elektrike ishin sektori që udhëhoqi rritjen, duke kontribuar në gjysmës e saj. Ndërsa një ndikim pozitiv dhanë edhe sektori i ndërtimit, që ndjek bumin e lejeve dhe programin e rindërtimit pas tërmetit; si dhe shpenzimet e kryera nga qeveria për investimet publike, edhe faktin se ky tremujor i paraprin zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 prillit.

Por, kur rimëkëmbja pritej të ishte gjithëpërfshirëse dhe të prekte të gjithë fushat, sektorë si tregtia, transporti dhe akomodimi; aktivitetet profesionale dhe bujqësia rezultuan në rënie, ose në stanjacion.

Të dhënat e INSTAT zbulojnë se konsumi i popullatës ka dhënë pak ndikim në këtë ringritje të ekonomisë, që nga ana tjetër është mbështetur te shpenzimet e qeverisë dhe investime që po bën biznesi për linjat e prodhimit, plane këto të shtyra prej dy vitesh në kohë për shkak të tërmetit dhe pandemisë.

Rritja ekonomike e shënuar në tremujorin e parë nuk është përcaktuese për ecurinë e ekonomisë në pjesën tjetër të vitit, pasi do të nevojiten edhe dy tremujorët e tjerë pasues që të kushtëzonin një trend rritës, siç janë pritshmëritë e qeverisë dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani