Rinisin betejat ligjore e Julian Assange, “babait” të WikiLeaks

Rinis në Londër beteja ligjore e Julian Assange për të shmangur ekstradimin në Shtetet e Bashkuara ku akuzohet për veprimtari kriminale mbi aktivitetin e website-it WikiLeaks. Autoritetet amerikane e akuzojnë australianin 49-vjeçar Assange se ka konspiruar për të hakuar kompjuterat qeveritarë, gjithashtu për shkelje të një ligji për spiunazhin, me informacionet konfidenciale të lëshuara nga WikiLeaks gjatë periudhës 2010-2011.
Assange shihet nga admiruesit e tij në mbarë botën si një kampion i fjalës së lirë dhe i gazetarisë investigative, që bëri publike raste abuzimi me pushtetin dhe praktika të tjera të dyshimta të forcave të armatosura të SHBA duke sfiduar me guxim superfuqinë globale. Kritikët e tij në Uashington dhe në vende të tjera të perëndimit, thonë se Assange duke publikuar dokumente të paautorizuara, vuri në rrezik jetën e shumë njerëzve ne Irak, Iran dhe Afghanistan, të cilët në një mënyrë a në tjetrën kishin ndihmuar Shtetet e Bashkuara.
Të shumta edhe kritikat mbi publikimin nga WikiLeaks në vitin 2016, gjatë fushatës presidenciale, të dokumenteve të vjedhura nga Komiteti Kombëtar Demokrat, duke dëmtuar kandidaten Hillary Clinton. Assange i mohon akuzat e hetuesve amerikan të cilët pretendojnë se dokumentet janë siguruar nga hakerat rus.