Rishikohet projekti, ndërpriten punimet për një nga tribunat e stadiumit të Kukësit

Prej disa kohësh, në stadiumin e ri të Kukësit, janë ndërprerë punimet në tribunën perëndimore dhe janë përqendruar në ambientet e brendshme të tribunës qendrore.

Kryetari i bashkisë, Safet Gjici dhe president nderi i FK Kukësi tha se punimet në stadium po ecin me ritme të shpejta dhe se puna në tribunën perëndimore nuk është ndërprerë për mungesë fondesh, por si rrjedhojë e rishikimit të projektit për ta bërë një stadium sa më të kompletuar dhe me ambiente akomoduese hotelerike për lojtarët.

Gjici tha se qeveria do të alokojë në kohë fondet e planifikuara për kontratën shtesë dhe të njëjten gjë shpreson edhe për Federatën Shqiptare të Futbollit si bashkëfinancuese e projektit.

Gjici foli edhe për fazën përgatitore të ekipit të Kukësit në Tropojë, në prag të ndeshjes për kupat e Europës me Slavian e Sofjes, si dhe afrimet e reja të ekipit.