Rreth dy muaj me Covid-19, si ta kuptojmë kurbën e rasteve?

Kurba e pandemisë ka qenë kryefjalë për çdo vend të prekur nga Covid-19. Jo vetëm për Shqipërinë, duke dëgjuar gjithë vëmendje fjalën e ekspertizës për të pasur idenë e një piku të kaluar, ose një kurbë pa shumë lëvizje që mund të fliste për një skenar relativisht të qetë, mundësi e artë për tejkalimin e pandemisë. Por, kurba në Shqipëri ishte ajo që u diskutua më së shumti për lakoren që mori, duke e lënë ekspertizën pa fjalë nëse kishte apo jo një kulm.

Klodiana Spahiu, mjeke në profesion, deputete e Partisë Socialiste, zëvendëskryetare e Komisionit të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, foli në Ditarin e orës 09:00 në A2 për këtë temë.

“Numri i rasteve të ndryshueshme ishte i pritshëm pas masave të reja. Kemi pasur hapje të bizneseve dhe padyshim që kontaktet mes njerëzve do të ishin më të shumta. Duhet të jemi optimist pasi ne jemi në zbritje të kurbës, e cila fatmirësisht ka një formë jo me majë. Ky ishte një rezultat shumë pozitiv. Rastet e reja, 17 një ditë më parë, nuk janë shumë të rëndësishëm për formën e kurbës, pasi ne i kemi kaluar tashmë momentet më të vështira të kësaj pandemie. Unë shpresoj shumë që edhe numri i rasteve të shtruar në spital të vazhdojë të jetë në rënie. Duhet të kemi parasysh edhe numri i rasteve të shëruar”.