Rritja e pragut të TVSH, Gjokutaj: Nisma nxit evazionin fiskal

Zgjerimi i pragut do të shoqërohet me më pak biznese që do të futen në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar.
Sipas qendrës studimore ALTAX, deri më tani, qeveritë kanë bërë 7 herë ndërhyrje në pragun e TVSH-së, që prej qershorit 1996 kur kjo taksë u vendos për herë të parë.
Eduart Gjokutaj, ekspert pranë qendrës Altax, tregon për A2 Business se rritja e pragut të TVSH bëhet kryesisht për nevoja të administrimit dhe jo për përfitimin e bizneseve, ndërsa shton se një nismë e tillë mund të nxisë evazionin fiskal.
“Bizneset nuk kanë “de facto” një përfitim, sepse dihet se TVSH nuk është taksë e biznesit por e konsumatorit, kemi tentativë për menaxhimin e mirë të asaj shume që mbetet, por ndërkohë tkurrja e bazës nuk është lajm i mirë, sepse TVSH sekretin e ka në gjithëpërfshirjen e saj. Kjo do të sjellë probleme për evazionin, sepse vetë TVSH ka si objektiv auto disiplinimin”, thotë Gjokutaj.
Sipas të dhënave të qendrës studimore ALTAX, në rajon Shqipëria është vendi me pragun më të ulët të TVSH-së pasuar nga Mali i Zi. Ndërsa Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë dy vendet me pragun më të lartë të tatimit mbi Vlerën e Shtuar, çka përkthehet edhe në lehtësi më të mëdha fiskale që ofrohen prej tyre për bizneset.