Rrugët që vrasin! – 26/02/2021

Edicionet informative prej vitesh bombardohen nga lajmet e aksidenteve rrugore. Kronikat televizive flasin për jetë të humbura në rrugët e Shqipërisë ndërsa debati përsëritet çdo vit përmes së njëjtës histori atë të statistikave të policisë e që gjithmonë, jetët barazohen me numra.
Dëgjojmë shpesh për mënyrën se si u aksidentua një automjet me një këmbësor, se si sinjalistika nuk zbatohet e më shumë mungon, njollat e zeza e infrastruktura inekzistente e rrugëve, vijat e bardha e semaforët pulsues, por asnjëherë për sigurinë rrugore.
Viti 2020 u ideua nga autoritetet si vit i sigurisë rrugore, me pikësynim nxitjen e kujdesit ndaj rregullave të qarkullimit rrugor. Dëshira dhe synimi qeveritar nuk u përputh me shifrat e aksidenteve rrugore, që vijuan të mbeten të larta. Aksidentet fatale me jetë të humbura nuk ndalën as gjatë pandemisë, kur lëvizja e mjeteve ishte e kufizuar.
Siguria rrugore është një çështje e cila nuk merr vëmendjen që duhet të ketë dhe për potencialin që paraqet në shpëtimin e jetës së qytetarëve. Statistikat tregojnë se në janarin e këtij viti numërohen 125 aksidente rrugore nga 93 të tilla një vit më parë duke u rritur me 35 përqind.
Pavarësisht fushatave të herëpashershme të autoriteteve rrugore dhe atyre policore kërkohet zbatimi i kodit rrugor. Por që të zbatosh, një kod edukimi luan një rol parësor.