Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Rubla ruse apo para krimi? Financimi i fushatës, analistët: S’ka vullnet për transparencë

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2022, 14:59 | Politikë

Financimi i partive politike është thembra e Akilit në reformën zgjedhore pasi interesat personale politike prevalojnë mbi standardet zgjedhore. Kalkulimet elektorale shkojnë paralel me kalkulimet financiare, fonde të cilat kanë qenë gjithmonë objekt akuzash pas çdo procesi zgjedhor ku njëra palë akuzonte tjetrën për paratë e hedhura në zgjedhje dhe për origjinën e tyre.

Akuza për origjinën e parave

Prej muajsh tashmë maxhoranca akuzon Partinë Demokratike për raportin e publikuar në Zërin e Amerikës ku ngrinte shqetësimin e ky subjekt politik në kohën kur drejtohej nga Lulzim Basha, ka marrë një financim prej 500 mijë dollarësh nga Rusia. Vetë Edi Rama prej muajsh nuk është kursyer në daljet e tij publike sa herë i është dhënë mundësia për t’i mëshuar këtyre akuzave duke përfshirë edhe Sali Berishën dhe Ilir Metën si të përfshirë në këtë financim rus të etiketuar si “Rublaçorba”.

Këto akuza ngjajnë më shumë si një strategji politik për t’iu kundërpërgjigjur akuzave që kanë dalë nga selia blu prej më shumë se 10 vitesh se PS-ja arrin të fitojë zgjedhjet nëpërmjet bashkëpunimit me subjektet kriminale dhe financimet e tyre. Pas çdo procesi zgjedhor ku PD-ja nuk ka arritur të dalë fituese ka kundërshtuar rezultatin duke u shprehur se vullneti është deformuar për shkak të krimit. Fillimisht nëpërmjet kandidatëve të inkriminuar që pasoi ligjin e dekriminalizimit e deri tek qëndrimet në raportet ndërkombëtare të monitorimit të zgjedhjeve.

Dështimi i Komisionit të Reformës Zgjedhore

Në 9 muaj veprimtari parlamentare, Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore nuk ka prodhuar asgjë konkrete. Detyrat e lëna nga ndërkombëtarët përfshinin edhe çështjen e financimit të partive politike por që nuk kanë marrë ende zgjidhje ligjore. Mjegullnaja politike për këtë çështje vijon të jetë e dendur dhe mekanizmat ligjorë për të qartësuar tabelën e shpenzimeve financiare nuk u vunë në zbatim. Komisioni i posaçëm parlamentar po shkon drejtë mbylljes së gjysmës së mandatit pa asnjë produkt konkret që për analistin Afrim Krasniqi tregon mungesën e vullnetit, për një çështje e mprehtë që kërkon zgjidhje.

Afrim Krasniqi

“Problemi është që para që marrin nga shteti janë vetëm minimumi i mundshëm, financimi kryesor vjen nga burime informale. Ne shohim që kapen laborator droge. Për çfarë janë ato! praktikisht janë një nga metodat e financimit në fushatë elektorale. Shohim që individ që përbejnë grupe kriminale vazhdojnë të kenë lidhje politike dhe ato janë burimi kryesor i financimit elektoral. Për këtë do të duhet të kishte një reformë zgjedhore!”, shprehet politologu Krasniqi.

PD, pa para publike për 14 majin

Kur bëhen hesapet për paratë që do të shpenzohen për 14 majin, opozita është me të ardhura më të pakta për shkak se bojkotoi zgjedhjet e fundit vendore dhe nuk do të përfitojë nga fondet buxhetore. Konkretisht Kodi Zgjedhor ka të parashikuar se partitë politike përfitojnë fonde publike për fushatë elektorale, e cila përllogaritet në bazë të numrit të votave që kanë marrë në zgjedhjet pararendëse të të njëjtit lloj. Çka për Partinë Demokratike dhe Partinë e Lirisë, ish-LSI-ja, do të thotë se nuk do të arrijnë të përfitojnë asnjë fond nga shtetit.

Pavarësisht këtij parashikimi ligjor, gazetari Arisir Lumezi shprehet për A2 CNN se opozita nuk do të ngelë me xhepa bosh për shkak se subjektet politike arrijnë të marrin financime edhe nga palë të treta private. Nuk besoj se partitë i kanë penalizuar financimet sepse financimet ato i kanë pasur në burime direkt, indirekte, të deklaruar apo të pa deklaruara, por jo ku shkon një vendimmarrje e pa pjekur kur vijmë në këto zgjedhje që je i përjashtuar nga financimet e buxhetit të shtetit për këtë fushatë”, - nënvizoi Lumezi.

Kush i merr paratë e PD-së?

Partitë politike marrin dy lloje financimesh publike. Një është i përvitshëm që përllogaritet në bazë të rezultatit të fundit që ka marrë partia politike në zgjedhjet e fundit parlamentare. Ndërsa tjetri është për të mbështetur fushatën elektorale. Këto para i shkojnë partisë politike ku në rastin e PD-së ngre pikëpyetjen se cilës PD i shkojnë paratë? Ndonëse Lulzim Basha që prej muajt mars ka dhënë dorëheqjen publikisht, ai vijon të njihet nga Gjykata si kryetarë i saj pasi akti verbal nuk është përkthyer në dokument. Kësisoj, edhe nga institucionet e tjera si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ai vijon të jetë kryetar i këtij subjekti politik dhe paratë automatikisht shkojnë në adresë tij, dhe jo Sali Berishës.

Aktivitetet e ndaluara që nuk ndalen dot

Në zgjedhjet e fundit parlamentare u zbatua për herë të parë mekanizmi i kontrollit të pushtetit qendror në fushatë elektorale ku katër muaj para datës së zgjedhjeve, qeverisë i ndalohet propaganda me punët e bëra. Por a do të mund të zbatohet ky mekanizëm edhe në rastet e kryetarëve të bashkive që synojnë një mandat tjetër? Kjo pyetje ngrihet për shkak se KQZ e ka më të lehtë të ndalojë pjesëmarrjen në të tilla aktivitete të përfaqësuesve të pushtetit qendror si kryeministri apo ministri. Por diçka të tillë, përfaqësues të KQZ thanë për A2 CNN se e kanë të pamundur për një kryetarë bashkie që rikandidon pasi investimet publike janë pjesë të juridiksionit të tij ku ushtron mandatin e të zgjedhurit vendor. Një zgjidhje më oportuniste ka Afrim Krasniqi që jep si alternativë delegimin e kompetencave të kryetarit të bashkisë kur një i zgjedhur vendor aspiron për një mandat tjetër.

“Kryetarët e bashkive të cilët kandidojnë në fushatë elektorale, do të duhet që gjatë fushatës ta delegojnë detyrën tek nënkryetarët në mënyrë që të mos jetë i njëjti individ që përdor bashkinë, punonjësit, tenderat klientelën dhe gjithçka në dispozicion të fushatës së tij elektorale” tha Krasniqi.

Aristir Lumezi

Një qasje të kundërt ka gazetarit Aristir Lumezi. Ai është i mendimit se në finale është vota që përcakton fituesin e zgjedhjeve si mekanizëm gjykues nga qytetarët. Është më i favorizuar se kandidati që hyn rishtazi në garë , por këto janë përfitimet e pushtetit në fund fare. Është gjithmonë më i favorizuar një kandidat që ka punuar për është i difavorizura nëse ai nuk ka punuar për komunitetin. Vota është ajo e ndanë pavarësisht se si do ta ne propagandojmë, inaugurime fushate apo inaugurime fasade”, nënvizoi Lumezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është institucioni që do të duhet të zbatojë këto dispozita ligjore, ku krahas kontrollit, do të duhet të merret edhe me organizimin e procesit zgjedhor.

https://a2news.com/2022/11/29/pd-pa-para-publike-leket-e-fushates-i-merr-ps-fondet-vjetore-i-kalojne-bashes/

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu