Rushaj: Programi i PD dhe dështimi i Ramës, pikat e forta për fitoren e zgjedhjeve

Programi demokrat dhe dështimi i Ramës në këto 8 vite qeverisje janë pikat e forta me të cilat koalicioni opozitar synon të fitojë zgjedhjet e 25 prillit. Këtë konfirmoi në studion e Absolut 4 drejtuesi politik i fushatës së Partisë Demokratike Alfred Rrushaj. Sipas tij Rama nuk ka asnjë program dhe sulmon opozitën, ndërkohë që ka dëshmuar dështimin në këto vite qeverisjeje.

“Ata nuk kanë program fare përveç se merren me ne dhe programin tonë. Dikush që nuk ka bërë diçka për 8 vite nuk do e bëjë as për 4 as për 8 vite. Fakti që Rama në 2013 propozoi shumë gjëra dhe nuk bëri asgjë”.

Rrushaj thekson se në qendër të politikave të PD-së është familja. Sipas tij janë detajuar pikat e programit në fletëpalosje për çdo kategori.

“Basha dhe ekipi i tij ka shpalosur pikat e programit të detajuar dhe fletëpalosje për çdo kategori një mënyrë e thjeshtë që qytetarët të kuptojnë pikat e programit tonë. Ajo që është kuptuar fillimisht kanë qenë qytetarët që ishin interesuar për ekonominë familjare. E kemi filluar me shpjegimin e politikave për të rritur ekonominë familjare, politikat për të ndaluar emigracionin, përmirësimin e sistemit shëndetësor e arsimor. Ne do i përqasemi biznesit. Por thelbi është që në qendër të politikave tona kemi vendosur familjen, kemi pasur rrënim të ekonomive familjare, kam parë lagje në Tiranë që janë të harruara prej kohësh”.

Ai e akuzon kryeministrin për propagandë me vaksinimin, kur kjo është një e drejtë qytetare. Sipas Rushajt kjo është e turpshme.

“Ajo që po bën është e turpshme, po shfrytëzon paratë e shqiptarëve për propagandë. Si mund të thotë që nëse unë iki nuk ka vaksina, ai po shfrytëzon faktin që ne jemi luajalë për shëndetin e qytetarëve. Vaksinimi është një e drejtë e qytetarëve shqiptarë. Ne nuk dimë nga kanë ardhur dhe kush i ka sjellë vaksinat. Ne nuk dimë cila është radha për të marrë vaksinat. Ne nuk e dimë këtë gjë se kemi mungesë totale transparence. Ai ka blerë një vaksinë kineze dyfishin që ka vaksina Pfizer nuk dimë nëse është e certifikuar gjithçka bëhet për propagandë. Thotë nëse unë iki, njerëzit vdesin. Nëse ai ikën qytetarët do të dinë kur do vaksinohen dhe cila do të jetë radha e sigurt që vaksinimi do të ecë me hapa të shpejtë. Ky sulmi i tij është që nuk ka me ç’të merret”.

Sa i takon komunikimit me LSI-në, Rrushaj u shpreh se ka koordinim mes tyre edhe pse nuk janë në një fletë koalicioni.

“Padyshim që ka pasur dhe ka komunikim para fushatës ne jemi koordinuar. Ne nuk mund të premtojmë diçka që mund të bjerë në kundërshtim me forcën tjetër. Ka koordinim dhe pse nuk jemi në një fletë koalicioni”.

I pyetur për fushatën në vetën e parë që po ndjek edhe kreu demokrat Lulzim Basha, Rrushaj tha se ai ka marrë përgjegjësitë si kryeministër i vendit.

“Basha është kryeministër i ardhshëm i vendit dhe ka marrë përgjegjësitë si kryeministër dhe kur thotë përgjegjësinë e kam unë, unë kam ekipin dhe do qeveris me një ekip. Nëse premtimet nuk mbahen unë nuk kandidoj më për kryeministër e mandat të dytë. Ka një dallim të qartë ndërmjet përgatitjes së platformës dhe marrjes së përgjegjësisë. I ka të lidhura premtimet me faktin nëse do ta vazhdojë kërkesën për të marrë mandat të dytë para zgjedhësve”.