Sa do të rëndojë kriza e çmimeve? 57.8% e buxhetit familjar për ushqim, energji dhe karburant

Shqiptarët po përballen tashmë prej disa muajsh me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve, teksa kryeministri ka paralajmëruar për një krizë të mundshme energjetike, që mund të çojë edhe në një rritje të çmimit të energjisë. Por sa kushton kjo rritje e çmimeve në buxhetet e familjeve shqiptare?
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, një familje shpenzon 41.1% të totalit të buxhetit për ushqime, 10.9% për shpenzime për “banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar” dhe 5.9% për transport. Pra në total 57.8% e totalit të buxhetit mujor shkojnë për mbulimin e këtyre nevojave të përditshme dhe të domosdoshme. Përballë rritjes së çmimeve në këto tre zëra, pesha në buxhet rritet ndjeshëm dhe bëhet gati e papërballueshme për një kategori të qytetarëve, ku përfshihen pensionistët, familjarët me paga të ulëta apo ata me ndihmë ekonomike.
Sipas të dhënave të INSTAT, klasa I, që konsiderohet më e varfra, shpenzon gati 54% për ushqime, 17.5% për energji, ujë e qira dhe 2.2% për transport, me një total prej gati 74% të shpenzimeve totale, që shkon për mbulimin e nevojave bazike.
Nga ana tjetër, një rritje e mundshme e energjisë, krahas asaj të karburanteve do të shkaktojë një reaksion zinxhir me shtrenjtimin edhe të produkteve dhe shërbimeve të tjera.