Sa e kanë ndihmuar paketat ekonomike biznesin?

Ekonomia po hapet gradualisht, por kthimi në normalitet duket ende i largët e mbi të gjitha, shumë i vështirë. Kjo duke pasur parasysh shqetësimet që vijnë nga biznesi dhe vonesat në dhënien e ndihmës nga qeveria. Ndërsa sipërmarrja ka dhënë alarmin për mungesën e likuiditetit, po mbushet tashmë muaji nga shpallja e garancisë sovrane 2, për të cilën nuk ka ende një draft të detajuar dhe as një marrëveshje me bankat, që bizneset në vështirësi të marrin kredi për nevojat e tyre. Ndërkaq pas FMN-së dhe Bankës Botërore, edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka bërë sot parashikimin më të zymtë për ekonominë shqiptare, ndoshta më pesimistin deri më tani, teksa flet për një rënie me 9%. Ndjekim një material dhe rikthehemi në studio për t’iu prezantuar të ftuarit e mbrëmjes së sotme.