Samiti që mblodhi Ballkanin Perëndimor në Tiranë, Nesho: Përpjekje e liderëve për të gjetur vetveten

Gjatë samitit të liderëve të Ballkanin Perëndimor, komisioneri Varhelyi konfirmoi angazhimin e Bashkimit Europian për mbështetje të fortë ekonomike për të gjithë rajonin, që shkon deri në 30 miliardë euro. Duket sikur ngërçi për anëtarësimin e këtyre vendeve po shkon drejt një zgjidhje, por sipas diplomatit Agim Nesho , ish-ambasador i Shqipërisë në OKB, optimizmi nuk duhet të zbeh problematikat.
“Jemi larg nga anëtarësime të reja, sepse detyrat e shtëpisë këto vende nuk i kanë kryer, përfshirë këtu Shqipërinë. Por ka një moment, sepse vetë BE e sheh si një zgjidhje gjeopolitike integrimin e Ballkanit në bashkësinë europiane. Kjo është pozitive dhe ky samit ishte më shumë si një përpjekje e liderëve për të gjetur vetveten”.
Sipas Neshos, të ftuar në A2, këto vende “kanë vite që këto liderë po tentojnë zgjidhje alternative, projekte të mbivendosura me anëtarësimin si Mini Shengeni, për të treguar që janë një forcë që edhe mund të kundërvihet në qoftë se nuk i jepet vëmendja e duhur”.
Një nga pengesat zyrtare të çeljes së Konferencës së Parë ndërqeveritare është veto bullgare ndaj Shkupit, për një serë arsyesh, kryesisht identitare. Por a jemi peng i Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit?
Sipas diplomatit, “disa vite më parë ishte Maqedonia peng e Shqipërisë, por presidenti francez Macron nuk dëshironte të ndante dy vendet. Ne flasim për vendimmarrjen, që nuk e kemi në dorë, por jo për faktin që nuk plotësojmë kriteret e meritokracisë që të bashkojmë vlerat e Ballkanit Perëndimor me ato të BE-së, ndërkohë që nuk jemi transparent ndaj atyre reformave që kanë dështuar, nga korrupsioni tek krimi i organizuar, që duhen tejkaluar me vullnet por edhe me tejkalimin e klasës politike”.