Sazani, udhëtim në ishullin e pabanuar, ku turistët ndërthuren me “nostalgjikët”

Ishulli më i madh i vendit, prej vitesh i paeksploruar, Sazani në tre vitet e fundit gjithnjë e më shumë po popullohet nga turistët e kryesisht ata nga Europa lindore dhe shqiptarët e rajonit.
Sazani u përdor nga italianët si bazë ushtarake deri sa komunistët e rimorën. Ishulli që dikur njihej me emrin Saseno, ishte projektuar për t’i bërë rezistencë edhe sulmeve nukleare. Por, tani tur operatorët e Vlorës e kanë kthyer në destinacionin më të marketuar të sezonit, dhe një pikë tërheqëse për turistët.
Një ishull enigmatik, për më shumë se gjysmë shekulli. Sot, aty gjenden veç gjurmët e së shkuarës, godina të vjetra e tejet të amortizuara të qytezës dedikuar ushtarakëve, një vend ku sheh arkitekturë të vjetër Italiane dhe godina komuniste në një bashkëjetesë interesante. Të harruara, tashmë në pritje të investimeve që mund t’i kthejnë pak shkëlqim nga e shkuara. Në kodrat e ishullit gjenden rreth 3 600 bunkerë, disa prej të cilëve kanë krevate dhe karrige.
Ishulli që dikur ishte bazë e 3 mijë trupave ushtarake, në vitin 2010 u shpall park i mbrojtur. Aty pyjet e plazhet nuk mungojnë, nuk ka hapësira të pafund por ka ujëra të kristalta, që mes dallgësh pëshpëritin thirrjen për t’i eksploruar. Guidat për Sazan, ofrohen tashmë nga grupe guid-operator të liçensuar, dhe ky ishull është edhe pika e tyre më e fortë.
Rudina Gjini, një prej tur-operatorëve sqaron se vizitorët më të inkuriozuar për ishullin mbeten të huajt, ndërkohë që shqiptarët më shumë impresionohen nga natyra.
Në shumë pjesë të ishullit ndalohen aparatet fotografike, pasi ende konsiderohet bazë ushtarake, por kjo eksperiencë është unike për të huajt. Ata kanë pak dëgjuar për Shqipërinë dhe nuk janë penduar aspak që e kanë zgjedhur për pushime.
“Kemi ardhur nga Franca, është hera e parë në Shqipëri, nuk kishim dëgjuar më parë për të por njerëzit janë shumë dashamirës dhe mund të kthehemi sërish”, thonë disa vajza franceze për A2.
Në Sazan, mund të shohësh objekte të dëmtuara, të mbetura ashtu siç kanë qenë kur banorët e fundit, ikën që aty. Kanë ruajtur arkitekturën e viteve të diktaturës. Ka godina italiane të ndërtuara në kohën e fashizmit, që përbën një thirrje për të gjithë ata që janë të apasionuar pas arkitekturës.
Sazani është një destinacion që vlen të vizitohet e këtu turistët janë në një “mendje”. E më së shumti këtë vit ishulli vizitohet nga nostalgjikët. Ata që 30 apo më shumë vite më parë kanë shërbyer aty.

  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 5 viktima në 24 orët e fundit
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 125 raste në 24 orët e fundit
  • LAJMI I FUNDIT | Koronavirusi në Shqipëri, 43 të shëruar në 24 orët e fundit
  • LAJMI I FUNDIT | MSH: 175 persona në spital, 15 në terapi intensive, 5 në intubim