Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Sekuestrimi i pasurive të Gjinit, PD: SPAK të shtrijë hetimet te bashkitë që i kanë dhënë tendera

Nga A2 CNN
30 Korrik 2022, 12:47 | Politikë
Sekuestrimi i pasurive të Gjinit, PD: SPAK të shtrijë hetimet te

Antikorrupsioni është një prej sfidave më të forta dhe Partia Demokratike në opozitë e sjell këtë në vëmendje si pikë të dobët të qeverisjes.

Teksa përshëndeti vendimin e  SPAK për sekuestrimin e pasurive të Anton Gjinajt, tha se hetimet duhet të shkojnë deri te bashkitë socialiste që bashkëpunonin me të.

Nga selia blu reagoi Ledina Mandia, tashmë Sekretare për Transparencën dhe Luftën kundër Korrupsionit në PD.

Deklarata e PD:

SPAK ka sekuestruar pasuritë e shtetasit Anton Gjinaj, me dyshimin se vjen nga aktivitete kriminale  në Shqipëri dhe Spanjë.

Anton Gjinaj është vetëm njëri prej emrave të përdorur nga i akuzuari: Kjo, në rrathët koncentrikë të së keqes, ku i bën punët qeveria e Edi Ramës, nuk bën përshtypje.

I njohuri si Anton Gjinaj, Pashuk Gjini apo Pashk Rrapi, nuk është një i dyshuar për narkotrafik dosido.

Ai, si shumë të dyshuar apo të provuar të tjerë, është ‘djalë për shpirt’ i pushtetit dhe bashkive socialiste të Edi Ramës.

Nga një hulumtim i zyrës së anti-korrupsionit të Partisë Demokratike, na rezulton se firma e këtij individi, “Alessio 2014” ka marrë miliona euro në tendera dhe kontrata.

Ai është sidomos i parapëlqyeri i bashkive socialiste, të njohura si gjeneratorë aferash të dyshimta, dhe të provuara në vjedhje seriale.

Bashkia Tiranë, bashkia Krujë, Bashkia Durrës dhe bashkia Lezhë, në 13 raste i kanë ofruar punë publike “Alessio 2014” dhe pronarit të saj Gjinaj, i dyshuar gjerësisht, edhe para urdhrit të SPAK, për përfshirje në aktivitete të paligjshme.

Që nga ndërtimi i varrezave, asfaltimi i rrugëve, shembja e shtëpive të tërmetit, ndërtimi i qendrave komunitare, e me radhë, firma e Antonit me tre emra ka qenë e zgjedhura e të ngjashmëve të tij në krye të bashkive të PS.

Partia Demokratike, duke përshëndetur SPAK për sekuestron, i bën thirrje të fusë në fokus të hetimit edhe tenderat dhe kontratat e Anton Gjinajt.

Hetimi i aktivitetit të paligjshëm të narkotrafikut është vetëm njëra anë e historisë së këtij individi.

Aksesi në zyrat e shtetit, miliona euro të lëvruara në favor të firmës së tij, duhet të ngrenë, gjithashtu, dyshime dhe padi.

Me këtë martesë të padenjë të shtetit dhe krimit, Shqipëria është në rrezik.

A2 CNN Livestream

Dita jonë