Sesioni i ri parlamentar, sfidat janë Reforma zgjedhore dhe shkarkimi i Presidentit – A2

Sesioni i ri parlamentar, sfidat janë Reforma zgjedhore dhe shkarkimi i Presidentit

Është një muaj i rëndësishëm për aktivitetin parlamentar. 2 prej nismave kryesore të mbartura që nga viti i kaluar shkarkimi i presidentit të republikës dhe reforma zgjedhore, duhet të konkretizohen, si rregull, pikërisht në atë periudhë.
Për të parën, komisioni i Venecias është vënë në lëvizje, dhe pikërisht në 20 mars do të japë opinionin e tij nëse Presidenti i Republikës ka shkelur apo jo kushtetutën me emërimin e Marsida Xhaferllarit dhe mosbetimin e Arta Vorpsit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.
Për rastin e dy zonjave, në fakt mazhoranca ka gati dhe ndryshimet disa ligje, për t’i prerë rrugë ‘’kapriçove” të presidentit me betimin e njerëzve të drejtësisë. Ndërsa për të dytën, reformën zgjedhore, tashmë puna duket se është përqendruar jashtë institucionit të kuvendit, në këshillin politik ky dy të mëdhenjtë do të japin bekimin e tyre.
Pjesë e Këshillit është dhe opozita parlamentare, që u pozicionua në skenën politike duke përdorur si kalë beteje pikërisht reformën zgjedhore dhe ndryshimin e sistemit elektoral. Tashmë sipas marrëveshjes mes të mëdhenjve, duket se protagonizmi i është rikthyer opozitës së vjetër, për aq kohë sa komisioni i posaçëm me bashkëdrejtuese Rudina Hajdarin, do të duhet të kalojë të pandryshuar produktin e dakordësuar jashtë kuvendit.
Ndërkohë votat e opozitarëve duhen dhe për kaluar paketën “kçk” që qeveria pritet t’i dërgojë Parlamentit, si dhe ndryshime të mundshme kushtetuese, që këto nisma dhe bashkë me ato zgjedhore, mund të kërkojnë.
Mazhoranca ka njoftuar se do të kalojë të pandryshuar, që në seancat e para dhe paketën anti-shpifje të kthyer me dekret nga presidenti, një tipar ky i mbartur nga 2019-a që karakterizoi marrëdhëniet mes dy institucioneve.
Deputetët do të jenë të angazhuar gjatë gjithë vitit dhe me aktivitet për 100-vjetorin e parlamentarizmit në Shqipëri.